Zyrtare: Komandant Malisheva nuk tentoi vetëvrasje

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë konfirmoi zyrtarisht sot se Muhamed Krasniqi-Komandant Malisheva nuk ka tentuar vetëvrasjen në burgun e Prilepit.

Pas pyetjeve të dërguara disa ditë më parë, më në fund, Dikasteri I Drejtësisë konfirmoi se zërat për tentativë vetëvrasjeje të Komandant Malishevës, nuk janë të vërteta, përkundrazi ai është mirë, njoftoi Alsat-M.

“Ministria e Drejtësisë ju informon se spekulimet e ngritura për Muhamed Krasniqin (Komandant Malisheva) i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në burgun e Prilepit, për tentim vetëvrasje janë të pavërteta dhe se gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe stabile”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

Disa ditë më parë, duke iu referuar burimeve jo zyrtare dhe të pakonfirmuara, Alsat-M publikoi se Muhamed Krasniqi kishte tentuar vetëvrasjen me acid sulfurik, ngjarje kjo e dyshuar si e ndodhur 10 ditë më parë, por e penguar nga personat e tjerë. Informacioni erdhi gjatë periudhës kur të dyshuarit e grupit të Kumanovës u morën në pyetje nga Prokuroria, edhe pse sipas avokatëve mbrojtës ata nuk pranuan të flisnin, pasi kërkuan më parë nga Prokuroria që të njiheshin me provat që pala e akuzës posedon. Për ngjarjet e Kumanovës më 9 dhe 10 maj të dysh uar janë gjithsej 33 persona. Gjatë luftimeve, humbën jetën 8 policë, 38 u lënduan ndërkohë që nga radhët e grupit, humbën jetën 10 persona.

Mbrëmë, me anë të një postimi në facebook, reagoi gruaja e Komandant Malishevës, Arjeta Rexhaj Krasniqi, duke hedhur poshtë kategorikisht spekulimet në media për tentimin për vetëvrasje të bashkëshortit të saj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zyrtare-komandant-malisheva-nuk-tentoi-vetevrasje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala