Zyrtarë e Ministrisë së Arsimit, mohojnë të jetë kopjuar në testin e Maturës

Autori:Gazeta Fjala

Në të gjitha shkollat e vendit sot është mbajtur faza e parë e provimit të maturës në afatin e dytë, për ata maturantë të cilët nuk arritën ta kalojnë atë në testimin e parë.

Në mesin e shkollave, të cilat iu nënshtruan këtij provimi, ishte edhe ajo e mesme teknike “28 Nëntori” në Prishtinë. Gjithsej, 184 nxënës nga kjo shkollë, të cilët kishin rënë nga provimi në afatin e parë, sot u ballafaquan me këtë provim për herë të dytë.

Drejtori i shkollës, Ajet Brajshori lavdëroi punën e bërë nga ana e Ministrisë së Arsimit, që ky provim të shkojë sa më mirë. Në shkollën ku ai vepron, tha se nuk ka pasur asnjë problem apo raste të kopjimit dhe të gjitha përgatitjet janë kryer në kohë.

“Qysh ditën e djeshme i kemi bërë të gjitha përgatitjet teknike, në mënyrë që sot sipas agjendës në ora 10 të fillojë testi i maturës i afatit të dytë. Në ora 9:45 janë pranuar të gjithë nxënësit, janë sistemuar nëpër klasë. Sa i përket kopjimit, administrimin e bëjnë vet administruesit, mirëpo deri më tani nuk kam asnjë informacion që ka pas ndonjë çrregullim apo ndonjë thyerje të rendit apo prishje të rendit, gjithçka ka shkuar sipas planifikimit. 184 nxënës iu kanë nënshtruar testit të maturës deri në orën 13, ndërsa testi ka filluar në orën 10 dhe do të përfundojë në orën 13. Administruesit janë nga komuna e Prizrenit. Uroj gjithë nxënësit që sot iu kanë nënshtruar testit të maturës, të kenë suksese”, tha Brajshori.

I mendimit se këtë herë provimi po ecën në mënyrë të duhur ishte edhe koordinatori nga MASHT-i, Rexhep Kastrati. Ai për KosovaPress tha se provimi ka filluar në kohë dhe nuk ka pasur asnjë rast të kopjimit. Kjo, sipas tij, për arsye se nxënësit janë vetëdijesuar.

“Ministria e Arsimit i ka bërë të gjitha përgatitjet edhe organizimin. Procesi ka filluar me kohë, të gjitha përgatitjet janë, qetësia është shumë në nivel. Nuk ka kopjime. Të gjithë i kanë dorëzuar ata që kanë pasur telefona. Falënderojmë administruesit nga Prizreni, të cilët janë duke dhënë kontributin maksimal. Tash është rrit vetëdija që nxënësit të punojnë me forca të veta, të angazhohen më shumë, jo me kopjime. Në qendrën numër 14 nuk ka pasur raste të lajmëruar për kopjim”, tha Kastrati.

Edhe nxënësit e shkollës “28 Nëntori” ishin të pajtimit që në këtë shkollë nuk ka pasur asnjë parregullsi. Por, nxënësi Dardan Hasani u ankua se provimi këtë herë ka qenë më i vështirë.

“Parregullsi nuk ka pas, me rregull ka fillu në orën 10, kopjime nuk ka pas, gjithçka në rregull ka shkuar…na kanë monitoruar profesorë t nga Prizreni…I vështirë ishte. Nga lëndët matematikë, gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze, 120 pyetje…mendoj që e kaloj, kam punuar”, tha Hasani.

Pos shkollës “28 Nëntori”, provimi i maturës ka shkuar mirë edhe në shkollën e mesme ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”.

Lulzime Bytyqi, nxënëse nga kjo shkollë tha se nuk ka vërejtur asnjë problem, por njëjtë sikur nxënësit tjerë, edhe Lulzimja u ankua se provimi këtë herë ka qenë më i vështirë.

“Kaluam shumë mirë, parregullsi nuk ka pasur…në nivel kemi qenë të gjithë… herën e parë më lehtë, ky pak më i vështirë por besoj që e kaloj…kontabilitet, në bazë si e kemi pasur drejtimin, por njëherë duhet ta shoh rezultatin e pikëve”, tha Bytyqi.

Pjesa e dytë e këtij provimi do të mbahet pas dy javësh.

Ndërkaq rezultatet do të publikohen pas mbajtjes së pjesës së dytë të këtij provimi, nga Ministria e Arsimit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zyrtare-e-ministrise-se-arsimit-mohojne-te-jete-kopjuar-ne-testin-e-matures/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala