Zvicra mbështet FSK’në

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli, e ka takuar ambasadoren e Zvicrës në Prishtinë, Krystyna Marty Lang, e cila, në emër të shtetit zviceran, i ka dhënë mbështetje sidomos FSK-së.
Fillimisht Demolli e ka falënderuar ambasadoren Lang për ndihmën që Qeveria e Zvicrës është duke ia dhënë Kosovës dhe FSK-së, në veçanti për angazhimin e ekspertëve ushtarakë të çminimit, të cilët janë të angazhuar për pastrim të fushave të minuara në Kosovë. Po ashtu, Demolli e ka falënderuar Langun edhe për kontributin e Kontingjentit të Ushtrisë së Zvicrës në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Më tutje, Demolli e ka njoftuar ambasadoren Lang edhe për zhvillimet e përgjithshme në MFSK dhe FSK, me theks të veçantë në procesin e transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës. Në këtë kontekst, ministri Demolli ia ka shprehur ambasadores Krystyna Marty Lang interesimin për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në të drejtën humanitare ndërkombëtare si dhe në sfera të tjera që kanë të bëjnë me çështjet gjinore, gjithashtu në kuadër të këtyre edhe trajnimin dhe shkollimin e kuadrove të FSK-së në shtetin e Zvicrës.
Kurse ambasadorja zvicerane Krystyna Marty Lang është shprehur e lumtur për bashkëpunimin e deritashëm në mes dy të shteteve, posaçërisht në mes të FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Zvicrës. Ambasadorja Lang ka deklaruar se ky bashkëpunim do vazhdojë edhe në të ardhmen në mes të dy shteteve mike dhe në mes të FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Zvicrës.