Zvicra dhe Kosova vazhdojnë partneritetin në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka pritur të mërkurën në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, me të cilën kanë biseduar për punën që po bëhet në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të sektorit të bujqësisë, si dhe për objektivat e kësaj ministrie për mandatin e ardhshëm.
Ministri Krasniqi e ka njoftuar ambasadoren edhe për progresin që është shënuar në këtë sektor, si dhe për investimet të cilat planifikohet të bëhen në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të këtij viti. Më tej, ministri Krasniqi, ka treguar se me dyfishimin e buxhetit për bujqësinë, do ta rrisin përkrahjen financiare për fermerët dhe agrobizneset vendore.
Ministri shprehi gatishmërinë e tij për të thelluar edhe më tej partneritetin mes Kosovës dhe Zvicrës, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sektorit të bujqësisë.
Nga ana e saj, ambasadorja Krystyna Marty Lang, ka uruar ministrin Krasniqi për detyrën e re dhe ka rikonfirmuar gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar zhvillimin bujqësor të vendit.