Zogaj: Policia ishte e papërgjegjshme kur arrestoi Kurtin pa fletëarrest

Analisti politik Petrit Zogaj, arrestimin e mbrëmshëm të ish-liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti e ka vlerësuar si një veprim të pa matur të policisë.
“Është papërgjegjësi e policisë kur deshi ta arrestojë Albin Kurtin pa një fletëarrest”.
Zogaj ka thënë për Klan Kosovën se ngjarjet e mbrëmshme tregojnë edhe njëherë që as pozita e as opozita nuk janë të përgjegjshme në veprimet e tyre.
“Ajo se çfarë pamë mbrëmë është në përgjithësi një papërgjegjshmëri e të dyja palëve”.
Zogaj tërë ngjarjen e mbrëmshme dhe arrestimin e Kurtit si një “njeri që mbartë petkun e imunitetit” e sheh si një çështje që kërkon diskutim.
“Është komplet një çështje tjetër që duhet të diskutohet nëse një deputet duhet të burgoset për veprimet që i bënë në Kuvend”.
Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes FOL, nuk mendon që gjërat mbrëmë do të mund të eskalonin më shumë nëse Kurti nuk do lirohej.
“Unë isha vetë mbrëmë në qendër të Prishtinës dhe nuk mendoj që turma ose edhe masat e protestuesve do të bëheshin më të rrepta nëse nuk do të lirohej Kurti”tha Zogaj, njofton Klan Kosova.