Zjarrfikësit tani në kompetencë të komunave

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka premtuar që shumë shpejt do t’i rikthejë shërbimet e zjarrfikësve në kompetenca të komunave.

Ai këtë hap pritet ta marrë pas përfundimit të disa procedurave, pasi që në turneun e tij që po e zhvillon nëpër komuna po përballet me ankesa të shumta nga krerët komunalë për mosefikasitet dhe probleme në këto shërbime, duke qenë ato jashtë mbikëqyrjes së komunave dhe nën menaxhim të nivelit qendror.

Hyseni ka shtuar po ashtu se rregullimi i statusit të zjarrfikësve është një nga prioritetet e tij. “Koha ka qenë e shkurtër prej se e kam marrë udhëheqjen e Ministrisë, por tashmë besoj kanë filluar procedurat legjislative për ta rregulluar statusin e zjarrfikësve, për të definuar qartë kompetencat. Synoj ta bëj decentralizimin e organizatave të zjarrfikësve, ato duhet të kalojnë në kompetenca të komunave, por edhe duke i standardizuar me nivel qendror edhe pagat. Standardet duhet të jenë të njëjta uniforme për gjithë Kosovën, ndërkohë që Komuna ta ketë në kompetencë plotësisht këtë veprimtari”, ka thënë Hyseni.

Ai ka deklaruar se në kohën kur është emëruar ministër gjendjen nëpër shërbime zjarrfikësish e ka gjetur mjaft keq.

“Ka përmirësime, sepse gjendjen që e kam gjetur te zjarrfikësit ka qenë e keqe. Kemi blerë ndërkohë një numër kamionësh zjarrfikjeje, mirëpo kjo nuk mjafton dhe ka ende shumë punë për të bërë”, ka thënë ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zjarrfikesit-tani-ne-kompetence-te-komunave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala