Zhvillimi ekonomik do të qetësojë Ballkanin

Autori:Avdyl Pajaziti

Biznesmenëve u duhet qëndrueshmëria politike, meqë zhvillimi ekonomik mund të arrihet vetëm përmes dialogut e partneritetit. Ky është mesazhi nga Vjena i kryetarëve të odave ekonomike të Kosovës e të Serbisë, Safet Gërxhaliut, përkatësisht të Marko Çadezhit.

Mesazhi vjen në vigjilje të takimit të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet sot në Odën Ekonomike të Austrisë, që është organizuar me nismën e odave ekonomike të Kosovës e të Serbisë.

“Kjo nismë që e kemi ndërmarrë unë me Safetin ka rëndësi të madhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kemi vendosur të ftojmë kryetarët e të gjitha odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe të bisedojmë rreth tri çështjeve dhe të dërgojmë tri mesazhe të rëndësishme”, citon Tanjug kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezhin.

Njëra nga këto çështje e mesazhe është qëndrueshmëria politike. Prandaj këta do t’u kërkojnë politikanëve t’i kushtojnë kujdes qëndrueshmërisë politike, t’i përkushtohen më shumë, meqë pa të as që mund të flitet për rritje e as zhvillim ekonomik të cilitdo shtet ose rajon.

Mesazhi tjetër ka të bëjë me mundësinë se në ç’mënyrë mund të përfshihen bashkësitë afariste në Procesin e Berlinit dhe në proceset e bashkëpunimit më të mirë në Ballkanin Perëndimor.

Mesazhi i tretë është shqyrtimi i mundësive si të kontribuohet dhe çfarë presin bashkësitë afariste nga këto procese, si të marrim pjesë bashkërisht në projektet e mëdha infrastrukturore dhe si t’i lidhim firmat bashkërisht, meqë secili veç e veç jemi të vegjël për të përballuar tregun, aktualisht kompleks dhe me kërkesa, çështje për të cilat do të bisedohet sot në Vjenë.

Kryetari i Odës Ekono0mike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se nisma e sotshme ka rëndësi jo vetëm për ekonominë dhe se përfaqësuesit e odave ekonomike të Kosovës e të Serbisë janë këtu (në Vjenë) për të promovuar partneritetin dhe dialogun.

Gërxhaliu i tha Tanjugut se për Ballkanin ka një tjetër perspektivë, bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik.

“Këtu jemi për të përcjellë mesazhin se mund të bisedojmë e bashkëpunojmë dhe se kemi perspektivë të përbashkët. Nuk mund të flitet vazhdimisht për integrime fillestare. S’mund të ketë integrim politik pa integrim ekonomik”, citon Tanjugu Gërxhaliun.

Siç është shprehur ai, ajo që po e bëjnë odat ekonomike të Kosovës e të Serbisë është kontribut faktit që zhvillimi ekonomik të jetë promotor e stabilitetit politik dhe paqes sociale dhe që bashkërisht të shpejtojmë procesin e integrimeve.

“Kjo që po bëjmë është mbështetje për dialogun në Bruksel. Le të dihet se në Ballkan mund të bisedohet dhe se Ballkani nuk është ai që mendohet dhe pikërisht hapat e tillë kontribuojnë për ndryshimin e perceptimit negativ në rajonin e Ballkanit. Unë dhe zotëri Çadezh nuk kërkojmë asgjë tjetër nga BE dhe Europa pos të bëjë atë që e di më së miri, e ky është zhvillimi ekonomik. Ne kërkojmë zhvillim ekonomik përmes dialogut dhe partneritetit”, është shprehur ai.

“Kjo ështëm ditë historike për zhvillimin ekonomik të Ballkanit” ka thën ë Gërxhaliu.

Konferenca rajonale, për të cilën nismëtarë dhe mikpritës kryetarët e odave ekonomike të Kosovës e të Serbisë, Safet Gërxhaliu e Marko Çadezh, organizohet me përkujdesjen e Odës Ekonomike Europiane, në kuadër të përgatitjeve për Samitin në nivelin më të lartë të Vjenës, kushtuar Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 27 gusht.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësuesit e odave ekonomike evropiane të Austrisë, Gjermanisë dhe Francës, Unioni i Odave dhe Bursës së Turqisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zhvillimi-ekonomik-do-te-qetesoje-ballkanin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala