Zhbogar: MSA-së i duhen institucione të forta e Kuvend funksional

Autori:Avdyl Pajaziti

Zbatimi i suksesshëm i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit do të jetë vendimtar për të ardhmen e Kosovës drejt hapit tjetër për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për zbatim të suksesshëm të MSA-së, Kosova duhet të ketë institucione të forta dhe një Kuvend funksional.

Në konferencën për konsultimet publike për draftin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, u kërkua që të bashkohen forcat nga të gjitha institucionet për zbatimin e MSA-së.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar tha se MSA-ja është marrëveshja e parë mes Kosovës dhe BE-së, apo marrëveshja më gjithëpërfshirëse që ka nënshkruar Kosova ndonjëherë për të ardhmen evropiane të saj.

Ai theksoi se për implementimin e MSA-së, duhet të ketë institucione të forta dhe Kuvend funksional.
“Institucionet e forta janë të domosdoshme për implementimin e marrëveshjes. Kosovës i duhet një funksionim i duhur i institucioneve, institucioneve që sigurojnë edhe cilësi. Institucionet gjyqësore kanë nevojë për fuqizim dhe kjo mbetet sfida kryesore, dhe në këtë kuptim lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të përforcohet dhe gjallërohet.

MAS i ndihmon Kosovës ta fuqizojë demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe kontribuon në stabilitetin politik. MSA është një lajm shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës…Kërkohet të jetë një Kuvend funksional ku të gjithë deputetët punojnë në një mënyrë të sigurt dhe duam që të gjithë deputetët të futën në një dialog dhe në fuqinë e argumentit që të hedhin fuqi në përpara dhe propozime për zhvillime ekonomike dhe progres të vendit. Na duhet edhe deputetë që luftojnë për ide se si të përmirësohet jeta e qytetarëve të Kosovës”, tha Zbogar.

Ndërsa, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets tha se ky do të jetë dokumenti udhëzues strategjik për Kosovën për vitet që vijnë. Sipas saj, fakti që Kosova tashmë ka arritur deri këtu në përgatitjen e programit kombëtar tregon angazhimin e saj pro-aktiv në këtë proces.
“Gjithashtu Kuvendi dhe shoqëria civile duhet të luajnë rolin e tyre aktiv në këtë proces që të jetë shtet demokratik. Kuvendi duhet të bëjë dialog dhe të angazhojë dhe t’i diskutojë këto çështje. Si Kuvendi ashtu edhe shoqëria civile dhe organizatat e saj duhet të bëjnë pyetje dhe të hyjnë në dialog me Qeverinë dhe të gjithë të angazhohen në këtë proces”, tha ajo.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zhbogar-msa-se-i-duhen-institucione-te-forta-e-kuvend-funksional/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala