Zëvendëssekretari amerikan vlerëson Kosovën për vendimet e fundit

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua në Nju Jork, me zëvendës sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J. Blinken. Ky i fundit vlerësoi vendimet e fundit që janë marrë nga Republika e Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale, marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për marrëdhëniet bilaterale si dhe mbështetjen e SHBA-ve për Republikën e Kosovës.

Zëvendëssekretari Blinken përgëzoi për lidershipin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës në raport me proceset e rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe më gjerë.

Zëvendëssekretari Blinken vlerësoi vendimet e fundit që janë marrë nga Republika e Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale, marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Zëvendëssekretari Blinken po ashtu shprehu përkrahjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL, nënshkrimin e MSA-së dhe proceset tjera integruese në strukturat euroatlantike.

“Zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony J. Blinken, përgëzoi Republikën e Kosovës edhe për hapat e ndërmarrë në luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke përfshirë miratimin e Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, si dhe miratimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, duke e konsideruar Kosovën shembull në rajon”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e vendit dhe avancimin e proceseve integruese euroatlantike.

Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e pazëvendësueshme që SHBA-të dhe presidenti Barack Obama, po ofrojnë për Republikën e Kosovës në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe aspektet tjera.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit bilateral me SHBA-të, si partneriteti kryesor strategjik i Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zevendessekretari-amerikan-vlereson-kosoven-per-vendimet-e-fundit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala