Zëvendëskryeministri i Kosovës e quan të padrejtë mbajtjen e Ivanoviqit në burg

Autori:Avdyl Pajaziti

Protesta e dytë me radhë në mbështetje të liderit të Iniciativës Qytetare “SDP” Oliver Ivanoviq dhe të akuzuarit tjetër Dragolub Delibashiq, është mbajtur të premten para Gjykatës Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti.

Rreth 600 protestues, në mesin e të cilëve edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, pastaj përfaqësues të komunave veriore, si dhe struktura tjera dhe simpatizantë të SDP-së, kanë kërkuar që dy të akuzuarit të lirohen menjëherë dhe t’u mundësohet mbrojtja në liri.

Përveç flamujve serbë, protestuesit kanë bartur edhe pankarta me mbishkrimet “Beteja për të vërtetën! Liri për Oliverin!”, “EULEX-i të akuzon, EULEX-i të gjykon!”, etj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka porositur Ivanoviqin ta ruajë shëndetin e tij, duke thënë se kjo nuk do të jetë me siguri beteja e fundit për ta ruajtur popullatën serbe në këto hapësira.

“Me këtë padrejtësi, vetëm sa na bëjnë më të bashkuar dhe më të fortë… Asnjëherë s’kemi bërë presion në drejtësi, dhe as që këtë e bëjmë sot, por mos të mendojë kush se ne kemi rënë nga dardha dhe nuk dimë çka është drejtësia, dhe si gjykatat duhet të funksionojnë… Asnjë serb më në Kosovë nuk do të jetë vetëm, kështu që as Oliveri dhe familja e tij sot nuk janë vetëm, ndërsa ata të cilët vendosin për këtë, duhet të mendojnë mirë çfarë janë duke bërë”, tha Stojanoviq, transmeton kp.

Ai ftoi serbët të jenë të bashkuar dhe të fortë si asnjëherë më parë, pavarësisht zërave të disave që shprehen kundër formimit të Bashkësisë së Komunave dhe kundër unitetit më të fuqishëm të popullit serb.

Kryetari i Këshillit për ndihmë serbëve të Kosovës pranë qeverisë së të ashtuquajturës Republika Sërpska, Millorad Arllov, tha se sot nuk bëhet fjalë vetëm për Oliverin, por përmes tij, bëhet fjalë për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Ksenija Bozhoviq, foli për gjendjen e rëndë shëndetësore të Ivanoviqit pas ditës së tetë të grevës së urisë.

Kryetari i Mitrovicës Veriore Goran Rakiq, ka akuzuar ashpër Eulex-in duke thënë se janë duke bërë padrejtësi në vend të drejtësisë.
Protesta e cila gjatë gjithë kohës u mbikëqyr nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës të Stacionit Veri, zgjati gjysmë ore dhe nuk u shënua ndonjë incident.

Oliver Ivanoviq është në ditën e tetë të grevës së urisë brenda burgut në ve ri të Mitrovicës, ndërsa bashkë me të akuzuarin tjetër Dragolub Delibashiq akuzohen për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999 – 2000 në atë pjesë të qytetit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zevendeskryeministri-i-kosoves-e-quan-te-padrejte-mbajtjen-e-ivanoviqit-ne-burg/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala