Zëri i protestuesve u dëgjua deri në Bruksel

Autori:Avdyl Pajaziti

Socialistët evropian nga bina e sotme e protestave në Shkup dërguan mesazhe për paqe, drejtësi dhe solidaritet. Gjatë fjalimeve të tyre mes vrullit të mijëra protestuesve, socialistët kërkuan gjyqësor të pavarur, media të lira, institucione demokratike si dhe luftim të suksesshëm të korrupsionit.

Sergej Stanishev, kryetar i Partisë Socialiste Evropiane theksin e vuri tek demokracia si vlerë, që qytetarët kanë të drejtë ta kenë. Stanishev i cili ka qenë kryeministër në Bullgari gjatë periudhës 2005-09, kritikoi edhe luksin e pushtetit në kurriz të qytetarëve. Ai tha se zëri i popullit që sot doli dhe vërshoi rrugët është ndier deri në Bruksel dhe kjo gjë nuk guxon të injorohet.

“Kjo pamje këtu është mjaftë inspiruese. Të gjithë këto njerëz të mbledhur këtu flasin për demokraci. Është kënaqësi që sot përfaqësoj socialdemokratët së bashku me Gjermaninë,Bullgarinë, Suedinë, Britaninë e Madhe. Nuk kam ardhur këtu për të ju mësuar por për ta dëgjuar zërin tuaj. E dëgjova, edhe atë fuqishëm. Mesazhi juaj është I qartë, ju doni paqe…. Prej gazetarëve dëgjova se liria e fjalës është e penguar. Por kjo nuk është gjë e pranueshme, nga aktivistët e sektorit civil dëgjova se janë shpallur tradhtarë vetëm për shkak se mendojnë ndryshe. Pashë se sa para janë harxhuar në luks, në vend se të harxhohen në interes të qytetarëve. Dëgjova se qytetarët thirrin një fjali të njëjtë, “Pa drejtësi nuk ka paqe”, dhe ta dini se zëri juaj është ndier deri në Bashkimin Evropian. Dua ta dini se ju jeni të rëndësishëm, ju jeni të bashkuar dhe kjo është gjë që askush nuk guxon ta ignorojë”, deklaroi Stanishev.

Nga ana tjetër Knut Flenkeshtjan, nënkryetar i Grupit Socialist në Parlamentin Evropian inkurajoi shtetin që vetë të ballafaqohet me krizën aktuale duke uruar që të kthehet demokracia dhe pavarësia institucionale.

“Un sot këtu nuk jam vet. Por kam me vete shokë nga Bullgaria, Suedia, si dhe nga qyteti im i lindjes Hamburgu. Nuk kam ardhur këtu nga Brukseli për ti treguar Maqedonisë se si të ballafaqohet me krizën. Nuk iu duhen mysafirë nga jashtë për të vendosur për këtë gjë. Erdha në Shkup për të shprehur solidaritetin tim, jo vetëm me shokët e mi, por edhe me të gjithë ata që po protestojnë në mënyrë të qetë dhe të ju them të drejtën jam i mahnitur. Uroj të kthehet pavarësia në gjyqësor, pavarësia tek mediat, dhe korrupsioni të luftohet me sukses. Maqedonisë i duhet kthim I luftës për demokraci. Përpjekjet të vendosura për reforma. Ju uroj për trimërinë që treguar me ardhjen tuaj, dhe për mesazhin që e dhatë se Maqedonia do të jetojë në një ambient demokratik”, tha Flenkeshtajn.

Gjatë protestës i pranishëm ishte edhe eurodeputeti Riçard Houit i cili theksoi se BE-ja është mjaft e shqetësuar për gjendjen në Maqedoni, dhe roli i saj është të monitorojë por edhe të kyçet direkt në ndodhitë. Përkrahje nga rrjetet sociale për protestën ka lëshuar edhe Ervan Fuere, përfaqësuesi special i BE-së në Maqedoni gjatë viteve 2005-11. /Alsat-M/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zeri-i-protestuesve-u-degjua-deri-ne-bruksel/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala