Zemërimi i Orhan Pamukut

Autori:Gazeta Fjala

Në Stamboll, jeta gjatë dy muajve të fundit është bërë e pamundur. Miqtë vazhdojnë të këshillojnë: mos zbrit të marrësh metronë, mos shko në sheshin “Taksim”, mos frekuento vende me shumë njerëz. Sindroma e bombës po rrethon jetët tona. Por, të gjithë njerëzit në Turqi, edhe intelektualët, si unë, nuk duan asgjë tjetër veç paqes.

Vetëm disa muaj më parë, gjithçka dukej e fituar, por lufta që shpërtheu kundër kurdëve ka shkaktuar vetëm një rikthim te frika. Frikë në fytyrat e njerëzve, në zemrat e tyre, në mendjet tona: fatkeqësisht, kjo është ndjenja që dominon sot në Turqi. Kështu shprehet Orhan Pamuk, në një intervistë për “La Repubblica”, nga Nju-Jorku, ku prej disa ditësh, ashtu si çdo vit, ka nisur kursin e tij në universitetin e Kolumbias. Dëshiron ta thotë mendimin e tij pas masakrës në stacionin e Ankarasë. Është larg, por mendja e tij sigurisht, është në qytetin të cilit i ka kushtuar librin me të cilin fitoi “Nobelin” për Letërsinë.

Kur e morët lajmin për atentatin?

Menjëherë, sapo u zgjova. Më telefonuan nga Turqia, ndeza televizorin dhe pashë pamjet, fotografitë, është një gjë e frikshme. Vendi im nuk e meriton këtë.

Dhe çfarë menduat menjëherë?

Pata një reagim instiktiv: ky lajm na e copëton zemrën. Por, më pas, reagova duke i thënë vetes: të gjithë turqit liberalë, demokratë, laikë, të gjithë ata sot janë me kurdët dhe i mbështesin ata. Sepse, ky popull dëshiron paqen.

Stacioni i Ankarasë ku ndodhi masakra, a ka ndonjë domethënie për ju?

Për mua Stacioni i Ankarasë do të thotë Kemal Ataturk (themeluesi i Turqisë laike). Fotografohej kurdoherë që nisej për diku, gjatë viteve njëzet dhe tridhjetë.

Në të kaluarën, ky vend ka parë katër grushte shteti. Ju a keni frikë nga një rikthim te lufta civile, sikurse ndodhi gjatë viteve gjashtëdhjetë dhe tetëdhjetë?

Sigurisht që kam frikë. Mbi të gjitha, në vitet ’70, rrugët në qytetin tim kanë parë një konflikt të vërtetë mes njerëzve, të majtë e të djathtë. Ata që sot janë mbi 35 vjeç, kanë ende një kujtim fatkeqësisht të tmerrshëm të asaj periudhe dhe nuk dëshirojnë ta shohin kurrë më.

Por tani, në vitin 2015, çfarë ka ndodhur? Përse ky rikthim në përplasjen mes turqve dhe kurdëve?

Deri vetëm para tre muajsh, ky vend ka përjetuar një periudhë paqeje relative. Dhe presidenti Erdogan ia kish dalë të niste një negociatë me PKK-në, pas disa dekadave luftë mes ushtrisë dhe gueriljeve. Dhe në fillim, kjo përpjekje shkoi mirë.

Më pas, çfarë e devijoi këtë projekt?

Humbja e Erdoganit në zgjedhjet e qershorit. Nuk ia kish dalë të bindte kurdët, të cilët nuk ia besuan votat për të shkuar tek projekti i tij i Republikës Presidenciale. Kështu, për ironi të fatit, ka humbur pikërisht votën e kurdëve, që në zgjedhje i munguan në mënyrë vendimtare.

Dhe si u mbërrit më pas në luftën me PKK?

Humbja elektorale e zemëroi Erdoganin. Ai synon të ribëjë një ekzekutiv njëngjyrësh, të përbërë vetëm nga partia e tij, konservatore dhe me frymëzim islamik, ai nuk donte një koalicion qeverisës. Kështu u vendos rikthimi te votimet në 1 nëntor. Por, duke mos qenë të kënaqur me mënyrën si janë gjërat, qeveria dhe ushtria vendosën të rinisin luftën kundër lëvizjes kurde.

Por, në Turqi ka gjithsesi njerëz që mbështesin Erdoganin

Por është kombi i tërë që sot e kupton llogarinë e tij. Në fillim nuk donte të ishte pjesë e koalicionit ndërkombëtar që lufton Kalifatin Islamik. Më pas ka pranuar të bëjë atë që i kërkonin amerikanët: por, bashkë me Kalifatin ka bombarduar edhe kurdët.

Dhe njerëzit në rrugë, në zyra, në shkolla, si reaguan?

Mbetën të habitur, të shastisur. Zbuluan se nga një vend në paqe, krejt papritur u gjendën në një vend në luftë, si me Kalifatin, edhe me PKK-në.

Rrëfimi i gjithë këtyre për gazetarët është bërë i vështirë. Ka nga ata që janë arrestuar për një tweet kritik kundër presidentit, siç ndodhi dy ditë më parë me drejtorin e të përditshmes “Zaman”, Bulent Kenes…

Dhe sa shumë gazetarë të zotë shoh sot që i pushojnë nga puna, në gazetat e opozitës. Dua të them: SHBA-të ndonjëherë bëjnë luftëra të tmerrshme, por këtu askush as nuk e çon nëpër mend që të prekë lirinë e shprehjes.

Po ju mendoni që zgjedhjet e ardhshme të 1 nëntorit, mund ta ndryshojnë këtë situatë frike në Turqi?

Unë shpresoj që po. Unë jam me liberalët dhe demokratët që janë zemëruar me Erdoganin.

Ju, Pamuk, e doni thellësisht vendin tuaj, të cilin e keni përshkruar shumë herë në librat tuaj. Sot, a nuk jeni i shqetësuar për Turqinë?

Po, jam. Sepse, di që në fund partia e Erdoganit dëshiron të qeverisë e vetme me çdo kusht. Unë shpresoja që të mbërrihej në një koalicion qeverisës. Tani Erdogani nuk do të fitojë as simpatinë, as mbështetjen, nga ana e kurdëve. Jam i shqetësuar. Dhe jam prej mënyrës gjithnjë e më autoritare me të cilën presidenti qeveris vendin. Tani, fatkeqësisht pozicionet janë polarizuar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zemerimi-i-orhan-pamukut/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala