Zemaj mbështet Isa Mustafën dhe thotë se Vjosa nuk do të largohet

(E plotësuar) Armend Zemaj, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka ripërsëritur se është kundër koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Zemaj, në Klan Kosova, ka pohuar se e mbështet Isa Mustafën për kryetar të LDK-së, pasi që këtë e kërkuan përmes votës delegatët e partisë, transmeton Telegrafi.
“E mbështes Isa Mustafën për kryetar të LDK-së, por jam kundër koalicionit me PDK-në, edhe me AAK-në. Kjo për faktin se nuk janë zbardhur vrasjet e pas luftës të zyrtarëve të LDK-së”, ka thënë Zemaj.
Ai tha se nuk ishte vullneti im për ta votuar Isa Mustafën për lider të LDK-së, por delegatët e votuan dhe i dhanë besimin edhe për katër vite.
Zemaj ka bërë komente edhe rreth pozitës së deputetes Vjosa Osmani Brenda LDK-së. Ai ka thënë se nuk ka mundësi që ajo të largohet nga partia.
“Vjosa Osmani nuk do të përjashtohet asnjëherë, nuk është logjikë e LDK-së përjashtimi. Vjosa Osmani dhe Arben Gashi është dashur tw jenë në këshill të Përgjithshëm për hirë të votës elektorale që kanë”, ka konstatuar Zemaj.Telegrafi/
————————————————————————
Ishte i panevojshëm largimi i mediave nga Kuvendi i LDK-së
Zemaj ka konsideruar se partia e tij e ka kaluar provimin e demokracisë që moti.
“Lidhja Demokratike ka kohë që e ka kaluar testin demokratik. LDK-ja e ka humbur liderin e saj, Ibrahim Rugova dhe ka kaluar nëpër faza të ndryshme. Të dielën në zgjedhje ka pasur një proces shumë demokratik”, ka thënë Zemaj.
Ai e ka cilësuar të panevojshëm përjashtimin e mediave nga salla ku po mbaheshin zgjedhjet e LDK-së.
“Kuvendi zgjedhor nuk ka pasur nevojë që të mos i lejojë mediat në Kuvend, sepse çdokush ka mundur të flasë pa u penguar nga askush”, tha ai.