Zbogar: Vizat hiqen kur të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar

Autori:Avdyl Pajaziti

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës, Samuel Zbogar, iu ka bërë thirrje liderëve institucionalë që të fokusohen në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, sidomos siç ka thënë ai, në luftën kundër korrupsionit dhe shpëlarjes së parave.

“Fatkeqësisht këtë vit keni humbur shumë kohë në krijimin e institucioneve dhe jeni përballur me ikjet masive që kanë ndodhur në fillim të vitit. Kjo do të thotë se, nëse nuk fokusohemi, nuk kemi shumë kohë për përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Zbogar.

Në takimin e nëntë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, të drejtuar nga presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, Zbogar ka thënë se Kosova duhet t’i miratojë edhe tetë ligje të tjera, si dhe të punojë më shumë në riatdhesim dhe integrimin e atyre që kthehen.

“Siguria dhe sundimi i ligjit vazhdojnë të mbeten fushat më të ndjeshme. Prandaj, përmirësimi i sundimit të ligjit, adresimi i korrupsionit dhe shpëlarjes së parave të pista, duhet të jenë prioritete që raporti, i cili do të dorëzohet për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, të merr përgjigje pozitive”.

Zbogar ka thënë se Bashkimi Evropian është i vetëdijshme se sa i rëndësishëm është procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, porse siç ka thënë ai, institucionet e saj, Të Kosovës, duhet që paraprakisht t’i përmbushin kriteret. /lajmi.net/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zbogar-vizat-hiqen-kur-te-luftohet-korrupsioni-dhe-krimi-i-organizuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala