“Zanzi Bar 2”, “ndodhi” të mërkurën: PDK e kërcënoi LDK-në me prishje të koalicionit!?

Autori:Avdyl Pajaziti

Skandali “Zanzi Bar” – i njohur tashmë në opinion, i ndodhur më 2009 kur PDK e kishte “kumtuar” lajmin për prishjen e koalicionit me LDK-në që udhëhiqej nga Fatmir Sejdiu – duket të jetë përsëritur sërish të mërkurën. Mirëpo, kësaj radhe kanë ndryshuar vetëm akterët dhe mënyra se si është dhënë lajmi.

Për dallim nga hera e parë, ku PDK u mblodh në gjysmë të natës për ta dhënë lajmin për prishjen e koalicionit përmes medieve, dhe ku zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e kishte njoftuar me SMS edhe kolegun e tij, Ramë Manaj, të mërkurën ishte Adem Grabovci i cili ia bëri të qartë “pasojat”, “homologut” të tij në Kuvend, Ismet Beqiri.

Gazeta Blic ditën e djeshme ka raportuar se si Adem Grabovci i ka kërkuar takim urgjent Ismet Beqirit për largimin e disa njerëzve të PDK-së nga ATK-ja dhe zëvendësimin e tyre me ata të LDK-së. Sipas burimeve, Grabovci ka qenë shumë i qartë që të ndalet ky trend, ose në të kundërtën do ta rrëzojnë Isa Mustafën nga posti i kryeministrit.

“Nëse do të veproni kështu, do ta votëbesojmë Qeverinë”, mësohet t’i ketë thënë Grabovci.

Takimin me Beqirin sot e ka konfirmuar Grabovci, mirëpo nuk ka dashur që të japë detaje se çka ka ndodhur apo çka është biseduar takim.

“Jo vetëm Ismet Beqirin, por do ta takojmë secilin që është nevoja në të mirë të funksionimit të koalicionit”, ka thënë ai.

Ai i ka thënë Gazetës Blic se me disa shkarkime që kanë bërë ministrat e LDK-së, kanë bërë shkelje të rëndë të ligjit.

“Ne jemi ankuar për këto veprime. Ata kanë bërë shkelje të rëndë të ligjit dhe presim që të bëjnë korrigjime”, ka thënë Grabovci.

Megjithatë, ai shton nuk presin se mund të vije deri të përfundimi i këtij koalicioni.

“Presim përmirësimin e këtyre veprimeve jashtëligjore të LDK-së”, ka thënë Grabovci.

Në anën tjetër, një deputet i LDK-së në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se PDK ia ka bërë të qartë LDK-së se nëse vetëm një njeri i tyre do të shkarkohet pa lejen e tyre, atëherë do ta prishin edhe Qeverinë.

“Thjeshtë, ajo që ka ndodhur të mërkurën është një ‘Zanzi Bar 2’. PDK e ka shantazhuar haptas LDK-në, që ose do të bëni si të duam ne, ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja”, ka thënë ky deputet, i cili ka dashur të mbes anonim.

Sipas tij, PDK ngjashëm ka vepruar edhe në kohën kur kanë bashkëqeverisur PDK- LDK, më 2007-2010.

“Edhe në atë kohë PDK në vazhdimësi e ka shantazhuar LDK-në me prishje të koalicionit, nëse ata nuk do t’i binden politikave kadrovike të PDK-së. Kjo do të ndodh derisa PDK do ta konsiderojë të nevojshme dhe moment të duhur për ta çuar vendin në zgjedhje”, tha ky deputet.

Mirëpo, Grabovci ka thënë se ata në asnjë mënyrë nuk po e shantazhojnë LDK-në, por thjesht po kërkojnë korrigjime nga ministrat e LDK-së.

Ndërkohë, Ismet Beqiri për ORAinfo ka thënë se punën e ministrave mund ta vlerësojnë vetëm partnerët e koalicionit dhe kryeministri Mustafa.

“Nuk komentoj deklaratën e z. Grabovci. Partneret e koalicionit kanë një marrëveshje. Puna dhe funksionimi i Qeverisë vlerësohet nga partneret e koalicionit, kurse performanca e ministrave nga partnerët e koalicionit dhe Kryeministri”, ka thënë Beqiri. /Gazeta Blic/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/zanzi-bar-2-ndodhi-te-merkuren-pdk-e-kercenoi-ldk-ne-me-prishje-te-koalicionit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala