YouTube: Televizioni jam unë

Autori:Avdyl Pajaziti

Iniciativa brilante e tre djemve, që e morën shtytjen nga… gjoksi i Janet Jacksonit.Tubi (Treni), në Londër është metroja. Në Amerikë është – ishte – termi për të treguar televizorin (kur kishte tubin katodik). Emri Youtube është, kështu, një ftesë: bëj televizionin tënd, mos prit atë të të tjerëve. Luaj, ndryshoje, porosit, trazo. Nëse realiteti është i patretshëm, copëtoje. Është parimi i ushqimit oriental i aplikuar në video: funksionon

 

You Tube është duke mbushur dhjetë vjetë. Nëse do të ishte një fëmijë, do të ishte gjenial, me iniciativë dhe ekzibicionist. U krijua nga Chad Hurley, Steve Chen e Jawed Karim, në Kaliforni, në shkurt 2005. I pari ishte 28 vjeç, dy të tjerët 26. Karim ka spieguar që frymëzimi i ka ardhur nga gjoksi i djathtë i Janet Jackson, i shfaqur gjatë finales së Super Bowl 2004. Nga shfaqja e pazakontë nuk gjendeshin filmime on line, kështu që ka menduar: eh një faqe ku të ndaje video me të tjerët mund të funksiononte. Dhe funksionoi.
Në 23 prilli të 2005-ës, Karim ka ngarkuar videon e parë në You Tube (unë në kopshtin Zoologjik, 19 sekonda), në të cilën shpjegonte që veshja e elefantëve ishte “me të vërtetë, me të vërtetë, me të vërtetë interesante”. Një djalosh i klasës së tretë fillore sot, do të dinte të bënte më mirë. Por e kishte idenë. Në vitin 2006 Youtube ishte blerë nga Google për 1,65 miliardë dollarë.


Sot është faqja e tretë më e vizituar pas vetë Google dhe Facebook.


Sot, një miliardë persona shikojnë 300 milionë video; çdo minutë ngarkojnë 300 orë filmime. Në nëntor 2014, shkruan “New York Times”, 83% nga përdoruesit e internetit në SHBA ka parë të paktën një filmim në Youtube. Në Itali filmimet janë 1,2 miliardë në muaj, përdoruesit unikë 20 milionë: një Italian në tre, të sapolindur e nëntëdhjetëvjeçarë përfshirë. Katër përdorues në dhjetë kanë një moshë mes 18 e 34 vjeç. Adoleshentët janë të shumtë, por Google Italia thotë se nuk e di sesa janë.

Çfarë  ka ndodhur në këto dhjetë vjetë? Një platformë “bëje vetë” për të apasionuarit e videos – motoja “Broadcast Yourself” “Transmeto Veten” – është kthyer në një instrument profesional. Youtube sot prodhon më shumë filmime të suksesshëm se sa çfarëdolloj studioje e Hollivudit. Kalimi nga “artizanati” në treg ka krijuar zanate të reja, ka sjellë reklama, ka gjeneruar të ardhura, ka hapur çështje të së drejtës së autorit e të censurës.
Përdoruesi mesatar sot nuk ngarkon video, shikon ato  të të tjerëve. You tube, siç do ta shohim, është sot një nga format e televizionit. Një vend i ri ku prodhuesit tradicionalë të përmbajtjes -nga BBC tek Rai, e para më shumë nga e dyta – konkurrojnë me diletantë imagjinarë, profesionistë të çuditshëm, mikroproduksione të specializuara në përpilimin, në provokim, në të pazkonshmen. Të gjitha gjërat që në Youtube funksionojnë.


Në këto ditë një video e Lionel Mess-it që shkelmon topin në 18 metra lartësi, e rikap në fluturim e vazhdon të luajë me top ka mbërritur në 9 milionë klikime. Një listë prej “25 këngësh më të bukurat e kohës”, e prodhuar si e tillë nga 0707NicePlayer, është parë 1,8 milion herë. Nëse do të më kishin thënë që, duke përgatitur këtë artikull, do të kisha kaluar shtatë minuta duke parë një video ku Grant Thompson “Mbreti i Rastësisë” mëson si shkrihen kanaçe e të prodhojë arusha prej alumini, nuk do t’i kisha besuar: megjithatë e ka bërë. Në fund protagonisti vullkanik falenderon sponsorin (një botues librash audio) e rekomandon The Hobbit e J.R.R. Tolkien. Shkritore e literaturë së bashku: edhe kjo ndodh në Youtube.
Idiotë, të varfër e të këqij, siç ishte e painevitueshme, kanë përfituar për skenën e re për të treguar dhunë, vulgaritet e absurditet (të regjistruara në kohë nga mediat tradicionale, asnjëherë të pakënaqur së treguari teprimet e konkurrencës së re). Por ndërtojnë një pakicë. Shumica e di atë që bën e mbi të gjitha, atë që do.


Kam pyetur tetë vajza e djem – në moshë midis 18 e 28 vjeç – përse e përdorin Youtube. Përgjigjet:
1) Për të parë filmime të aktualitetit e pjesë televizive që kam humbur;
2) Për të parë golat e ndeshjeve;
3) Për të qeshur;
4) Për videot e këngëve, tani që në MTV flitet mbi të gjitha për “gjashtëmbëdhjetëvjeçare me barrë”;
5) Për të studiuar kuicet e patentës së makinës;
6) Për të parë udhëzuesin. Doja të çmontoja I’phone-n;
7) Për të mësuar sesi të lyhem me rimel;
8) Për të mësuar si të bëj gërshetë flokët;
9) Për të mësuar sesi të lidh sarin e sjellë nga India;
10) Për të ndjekur YOUTUBER-a që më interesojnë.

Pjesa më e madhe e videove në You Tube – gjatësia më e madhe e lejuar, 15 minuta – ngarkohen privatisht. Një 2.5% profesionistësh – kinema, muzikë, televizion – mbledh rreth 90% të shikimeve globale. Edhe shoqëri si Cbs, Bbc, Vevo, Hulu kanë aderuar në Programin e Partnershipit, një sistem që lejon të ndajë të ardhurat e reklamave. Nga 2007-a, një mekanizëm i quajtur Content ID lejon – duhet të lejojë – të individualizojë automatikisht përmbajtjet që dhunojnë një të drejtë të autorit e duke mbrojtur kështu pronësinë intelektuale.
Seicili nga 500 prodhuesit e përmbajtjes, sipas “New Yorker”, fiton mbi 100 mijë dollarë në vit (të dhënat janë të 2012-ës). Youtube zakonisht, mban-45% shin dhe lë 55%-shin për kë ngarkon videon (uploader-in). Një rast suksesi? Aldo Giovanni e Giacomo. Kanali i tyre Youtube ka arritur në 44 milion shikime. Për një të pasur, një të varfër e një maxhordom – jo më të rinj – nuk është keq.


Tubi (Treni), në Londër është metroja. Në Amerikë është – ishte – termi i folur për të treguar televizorin (kur kishte tubin katodik). Emri Youtube është, kështu, një ftesë: bëj televizionin tënd, mos prit atë të të tjerëve. Luaj, ndryshoje, porosit, trazo. Nëse realiteti është i patretshëm, copëtoje. Është parimi i ushqimit oriental i aplikuar në video: funksionon.
Funksionon me spektaklin, aktualitetin, politikën. Shtëpia e Bardhë, qeveri, diktatorë kanë kuptuar me nxitim forcën e instrumentit të ri: lejon të gjendet një publik, e ta bëjë të rritet. Shumë vende (midis të cilëve Irani, Pakistani, Libia, Egjipti) kanë bllokuar përkohësisht në raste të ndryshme aksesin në Youtube; në Kinë mbetet i bllokuar. Është një pranim i fuqisë së Instrumentit.


Youtube nuk është shpikje e izoluar. Ka arritur me valën e katërt. E para në vitet Njëzetë e Tridhjetë të Nënëtqindës, ka sjellë në shtëpira zërin, me radion; e dyta, në vitet dyzetë e pesëdhjetë, ka sjellë imazhin në lëvizje, përmes televizionit; e treta, në vitet nëntëdhjetë, ka sjellë informacionet, falë shfletuesit që e bënin të mundur lundrimin në internet. E katërta valë arriti në shekullin e ri dhe ka kombinuar të gjithë këto: zërin, imazhin, informacionin, hyrjen.
Umts, Adsl, Facebook, smartphone, Skype (thirrjet video) e Youtube kanë arritur te publiku nja dhjetë vite të shkuara. Rugët e mjetet së bashku. Në njëqind vjet kemi kaluar nga dëgjimi tek vizioni, në ndarjen në lëvizje. Duke ndjekur nevojën e instinktet, sigurisht. Por nevoja dhe instinktet ndjekin teknologjinë. Nëse Guglielmo Marconi nuk do të kishte zbuluar radion, njerëzimi, për disa kohë akoma, do të kishte dëgjuar vetëm bisedat në shesh dhe ulërimat e fqinjëve të shtëpisë.
Youtube është televizioni i një brezi. Për kë ka ardhur në botë midis 1980-ës e 2000-shit përfaqëson atë që televizioni në dhomë ka qënë për gjyshërit e prindërit: një dritare e botës, një zbulim i kthyer shpejt në një zakon.
Deri dhjetë vite të shkuara dikush zgjidhte për ne çfarë të shihte e kur ta shihte. Për të lindurit dixhitalë kjo është e pakonceptueshme. “Bëjnë dorëshkrimin e tyre”, thonë kritikët televizivë. Nuk është kështu. Një dorëshkrim presupozon një organizim. Neotelespektatorët zgjedhin në bazë të kohës, instrumentave, humorit, shijes, miqve e rasteve. Youtube, në dhjetë vjet, ia ka dalë të organizojë këtë anarshi të dukshme, duke vendosur standarte, rregulla, duke krijuar një markë, duke imagjinuar modele ekonomike. Duke pranuar edhe t’i ngjajë, në ndonjë rast, prototelevizionit që sfidon.


Një njëzetvjeçar, në 1975-ën në Itali, kishte në dispozicion katër kanale televizive (Rai Uno, Rai Due, TV Zvicero-italiane, Tele Alto Milanese). Video, nuk qarkullonte. Në pushime shkrepte dyzetë foto, i çonte për t’u zhvilluar, i printonte, i ruante, ua tregonte miqve. E vetmja që mund të ndante me shokët  e që ishte e mundshme ishte një album ose një mbrëmje me diapozitiva, një formë e sadizmit të epokës. Një njëzetvjeçar i 2015-ës hap rregullisht Youtube-in, disponon dymijë kanale televizive, shkrep njëqind fotografi e qarkullon dhjetë video në ditë me telefonin që mban në xhep, që i duket se ia vlen barra qeranë. Më pas zgjedh, modifikon, ngarkon, publikon, nis, komenton, ndan. Asnjë kosto, aspak lodhje, pak pritje, ankth, e kufizuar në numrin e “Like”.
Duhet të kuptojmë, tregimi i ilustruar është tashmë një zakon. Shpejtësia, një kusht i nevojshëm. Variacioni, një  pushtim i domosdoshëm. Selfie-t, WhatsApp, Facebook, Instagram, Skype e Youtube janë variacione të të njëjtit fenomen.
Imagjinoni çfarë do të mund të shpiknin nëse ne – baballarët e tyre, mamatë e tyre, punëdhënësit e tyre – i lejojmë. /La Lettura/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/youtube-televizioni-jam-une/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala