Ymeri: S’kemi dashur të kemi një kundër-kandidat sa për sy e faqe

Autori:Avdyl Pajaziti

Lideri i ri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka mbrojtur vendimin e kandidimit të tij për postin e kreut të VV-së pa asnjë kundër-kandidat.

Ymeri ka thënë se diskutimi brenda Lëvizjes ka nisur javë më herët para se të dilet në publik me vendimin për mos-kandidimin e Albin Kurtit.

“Në publik kemi dalë me lajmërimin se Albini nuk do të kandidojë, por diskutimi brenda VV-së ka nisur më herët. Në GP të VV-së, çështja e kandidaturës sime është diskutuar javë më herët”, ka thënë Ymeri në Rubikon të KTV-së.

Ai ka mohuar se janë minimizuar gjasat për ndonjë kundër-kandidat për postin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje me kandidaturën e tij, ndërsa ka theksuar se anëtarësia e gjerë e ka ditur se Albin Kurti nuk do të rikandidojë.

Lideri i ri i Vetëvendosjes ka mbrojtur vendimin për garën me vetëm një kandidat, duke thënë se “nuk kemi dashur ta kemi një kundër-kandidat vetëm sa për sy e faqe”.

“Dua të them se ekzistenca e një kundër-kandidati vetëm sa për sy e faqe nuk e bën procesin më demokratik. Duhet të pyesim anëtarësinë përse nuk kanë kandiduar”, ka thënë Ymeri.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ymeri-skemi-dashur-te-kemi-nje-kunder-kandidat-sa-per-sy-e-faqe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala