Ymeri: Qeveri po mbjellë panik për të pezulluar aktivitetin opozitar

Autori:Avdyl Pajaziti

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri thotë se Isa Mustafa e Hashim Thaçi, përmes Skender Hysenit, janë duke e terrorizuar Prishtinën. Ngase, sipas tij, nuk ka ditë që nuk arrestojnë aktivistë të Vetëvendosje-s.

“Legjitimojnë qytetarët vend e pavend, me apo pa shkas, përmes policisë. Kështu pushteti po do ta provokojë situatën, dhe ta frikësojnë qytetarin, i cili tashmë qartazi, ka një kundërshtim të thellë ndaj marrëveshjeve të tyre shtetrrënuese (‘Zajednica’) e që cungojnë territorin (marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi). Në një kohë kur liderët evropianë i bëjnë thirrje njerëzve të mos kenë frikë dhe të vazhdojnë aktivitetet e tyre të përhershme ekonomike, sociale, kulturore e politike – liderët tanë shfrytëzojnë çdo rast për të mbjellë panik, sepse duan ta përdorin frikën për të shtypur demokracinë e për të pezulluar aktivitetin opozitar”, ka shkruar ai.

Ymeri vlerëson se krejt kjo kundër manifestimit paqësor të 28 Nëntorit.

“Dhe krejt kjo kundër qytetarit. Sepse këta nuk duan qytetarë – njerëz aktivë që mendojnë politikisht, e që nuk lejojnë degradim shteti, e përdhosje dinjiteti. Këta duan vartës që i ndjekin verbërisht, taksapagues që ua mundësojnë pasurimin privat, klientë të cilët i shantazhojnë e me të cilët tregtojnë. Nuk duan fare opozitë, as kur ne e bëjmë të qartë se aktiviteti ynë ka për të qenë tërësisht paqësor”, shkruar Ymeri.

Ai bënë thirrje te qytetarët që t’u tregohet më 28 Nëntor, qeverisjes aktuale, se këto politika frikësimi e shantazhi nuk kanë sukses.

“T’u tregojmë që nuk lejojmë të na shkatërrohet vendi e përdhoset dinjiteti. T‘u tregojmë se jemi kundër këtyre marrëveshjeve, se këto marrëveshje nuk do të zbatohen. T’u tregojmë se nuk jemi as vartës, as klientë, e as vegla të tyre. T’u tregojmë se jemi qytetarë të lirë”, përfundon Ymeri në statusin e tij në Facebook./

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ymeri-qeveri-po-mbjelle-panik-per-te-pezulluar-aktivitetin-opozitar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala