Ymeri pyet pse Serbisë nuk po i kërkohet dekriminalizimi i Kuvendit

Autori:Gazeta Fjala

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, të dielën është marrë me Momir Stojanoviqin.

Në një postim të tij në facebook, Ymeri ka thënë se “dosja ‘Operacioni ‘Reka’’ e përgatitur nga Fondi për të Drejtën Humanitare jep dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Momir Stojanoviqit në masakrat në fshatrat e Gjakovës, veçanërisht në masakrën e Mejës, ku nuk ka mbijetuar asnjë dëshmitar”.

“Stojanoviqi është i lindur në Gjakovë dhe gjatë luftës në Kosovë ka qenë udhëheqës i Sektorit për siguri në Korpusin famëkeq të Prishtinës të Ushtrisë së Serbisë. Sot Stojanoviqi është deputet nga radhët e partisë së Aleksandar Vuçiqit (SNS) si dhe kryetar i Komisionit për mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë”, ka shkruar Ymeri.

Ymeri ka thënë se “këta kriminelë lufte domosdoshmërisht duhen dënuar”. “Ky Parlament i Serbisë duhet dekriminalizuar. Kjo parti e Vuçiqit dhe ky njeri që mbanë të tillë njerëz në parti e Kuvend, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk mund të jenë të denjë për të dialoguar me ta. E aq më pak t’u plotësohen kërkesat në formë ‘Zajednice’ në Kosovë”, ka shkruar Ymeri.

Por pse nuk kërkohet dekriminalizimi i Kuvendit të Serbisë, ka pyetur Ymeri.
“Deputeti Stojanoviq është vetëm një shembull ilustrues nga shumë të tillë. Apo mos ndoshta nuk ia kërkojnë dekriminalizimin Serbisë sepse atje mandej s’mbetet askush?! Fundja, kryeministri Aleksandar Vuçiq ishte ministër i informimit të Milosheviqit në vitet 1998 dhe 1999. Nuk ka kuptim të flitet për pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve pa dënimin e krimeve të luftës”, ka thënë ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ymeri-pyet-pse-serbise-nuk-po-i-kerkohet-dekriminalizimi-i-kuvendit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala