Ymeri: Po të ishin të mira marrëveshjet Isa do i merrte meritat për vete

Autori:Gazeta Fjala

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se nëse marrëveshjet e Kosovës me Serbinë dhe ajo e demarkacionit me Malin e Zi do të ishin të mira për Kosovën, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi do t’i kishin marrë meritat për vete e nuk do ta shpërndanin fajin gjithandej.

“Marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel janë të dëmshme. Këtë po e pranojnë të gjithë. Paradoksalisht edhe Isa Mustafa, i cili me sjelljet e tij karshi këtyre marrëveshjeve qartazi po e dëshmon se e kupton fare mirë dëmin që ia ka sjellë vendit me këto marrëveshje. Përndryshe ç‘kuptim kanë këto bartje fajësie herë te spektri politik votues i marrëveshjes më 2013, herë te qytetarët që ai po i quan të padijshëm, e herë te bashkësia ndërkombëtare që e ka mundësuar okupimin e veriut nga Serbia”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

“Po të kishin qenë të mira as Isa e as Hashimi me asnjë kusht nuk do të kishin lejuar që meritat për këto të “mira” të shpërndahen gjithandej. Do të bënin çmos që t’i uzurponin ato siç e kanë zaptuar shtetin”.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës janë të mirinformuar për marrëveshjet dhe për proceset politike që po zhvillohen në Bruksel dhe dëmin që ia sjellin ato Kosovës. Sipas tij qytetarët me vetëdije të plotë po e mbrojnë Republikën e tyre.

“Qytetarët nënshkrues të peticionit janë më se të vetëdijshëm dhe të informuar për rrugën që po ia jep Republikës dialogu në Bruksel, i materializuar në marrëveshje, dhe Isa Mustafa. Dhe nuk po e pranojnë këtë. Edhe këta me vetëdije të plotë po i vihen në mbrojtje Republikës, tash kur qartazi krerët institucional që e kanë këtë detyrë dhe obligim, janë vënë tërësisht në funksion të mbrojtjes së “Zajednicës” së Serbisë në Kosovë.”

Këto deklarata të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë ardhur pasi kryeministri Isa Mustafa tha se qytetarët që po e nënshkruajnë peticionin janë të painformuar, dhe u bëri apel medieve që t’i publikojnë marrëveshjet.

Në këtë deklaratë që Mustafa e publikoi në Facebook, po ashtu ka thënë se Mitrovica e veriut është nën ndikimin e plotë të Serbisë për faj të kosovarëve dhe të ndërkombëtarëve, dhe Asociacioni i Komunave Serbe është rezultat i pamundësisë së integrimin të serbëve me kohë në shoqëri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ymeri-po-te-ishin-te-mira-marreveshjet-isa-do-i-merrte-meritat-per-vete/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala