Ymeri: Nuk ka burg e as kërcënim që na zmbraps

Autori:Avdyl Pajaziti

Kreu i VV-së, Visar Ymeri, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se kryepolicët e “Zajednicës”, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, janë vendosur tërësisht në funksion të një projekti kriminal – themelimin me çdo kusht të Zajednicës për Vuçiqin e Daçiqin.

“Ky bashkëpunim i Kryepolicëve me kryeparamilitarët kriminelë të luftës, Vuçiq e Daçiq kërkon rrënim të Republikës. Ashtu siç filloi Thaçi ta çmontojë Republikën në marrëveshjet me Daçiqin (fusnotë e Zajednicë) ashtu po vazhdon Mustafa me Vuçiqin për t’ia dhënë goditjen e fundit kësaj Republike.

Mustafa dhe Thaçi e quajtën kriminal aksionin opozitar në Kuvendin e Kosovës si dhe deputetët e opozitës së bashkuar i quajtën kriminelë. Të njëjtit nuk i kanë quajtur dhe nuk i quajnë kriminelë Vuçiqin e Daçiqin me të cilët kanë bërë marrëveshje, ani se këta janë pasardhësit politikë të Sheshelit e Milosheviqit dhe ishin vetë në pushtet në Serbi në vitet ’98 e ’99 kur në Kosovë kryhej gjenocid kundër shqiptarëve. Me ato marrëveshje me kriminelët e luftës Vuçiq e Daçiq, Mustafa e Thaçi ia shpejtuan Serbisë rrugën drejt BE-së e ia zgjeruan asaj ndikimin në Kosovë. Dje, zyrtari i Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, bashkë me ministrin Lubomir Mariq të Isa Mustafës, në Zveçan e ngritën përmendoren e bronztë të Kral Milutinit. Asnjë fjalë nuk e thanë Mustafa e Thaçi për këtë dhunë mbi Republikën e Kosovës. Nuk ka gaz e sprej lotsjellës që krahasohet me Kral Milutinin.

Shteti policor i ‘Zajednicës’ nuk do të ketë sukses. Kryepolicët e ‘Zajednicës’ do të gjunjëzohen. Ne nuk do të ndalemi. Nuk ka burg e as kërcënim që na zmbraps” (sic.), ka shkruar Ymeri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ymeri-nuk-ka-burg-e-as-kercenim-qe-na-zmbraps/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala