Ymeri: Modeli rus është ai i përkrahjes së “Zajednicës”

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendjse, Visar Ymeri, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se “ta luftosh modelin rus nënkupton ta luftosh ‘Zajednicën’”. Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Rusia, e Putini, janë hegjemonistë e imperialist, të cilët dhunshëm, herë përmes kontrollit politik në institucionet qendrore, e herë përmes okupimit faktik të një pjese të territorit, ushtrojnë kontroll gati në të gjitha vendet e ish Bashkimit Sovjetik, e të cilat i ka në kufi.

E njëjtë është Serbia, e Nikoliqi, Vuçiqi e Daçiqi në të. Ushtrojnë kontroll në Bosnje përmes Republikës ‘Srpska’, në Maqedoni përmes kontrollit faktik përmbi Gruevskin e VMRO-DPMNE-në, në Mal të Zi përmes serbëve atje. Në Kosovë përmes strukturave ilegale e kriminale, përmes Listës ‘Srpska’ e në të ardhmen përmes ‘Zajednicës’. I njëjti model sikur i Rusisë.

Ta luftosh modelin rus nënkupton ta luftosh ‘Zajednicën’. Njëkohësisht ta përkrahësh ‘Zajednicën’ është pikërisht ta përkrahësh modelin rus që e përdor Serbia për kontroll politik mbi shtetet që kanë dal nga ish Jugosllavia e që i ka në kufi.

Hashim Thaçi nënshkruan marrëveshje me Daçiqin (njërin prej politikanëve më pro rus në Serbi) për ‘Zajednicën’, dhe pastaj përdor policinë e Kosovës për zbatimin e kësaj marrëveshje. Bashkë me Isa Mustafën, këta janë shndërruar në vegla të ‘modelit rus’ në Republikën e Kosovës” (sic.), ka shkruar Ymeri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ymeri-modeli-rus-eshte-ai-i-perkrahjes-se-zajednices/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala