Ymeri: Kushtet e Presidentes nuk ishin që VV të mos jetë në Qeveri

Autori:Avdyl Pajaziti

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se në kushtet e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga të vëna koalicionit VLAN vitin e kaluar, të jetë thënë se ata nuk mund të jenë në Qeveri. Por, kushtet e Jahjagës që ia kishte vënë koalicionit VLAN vitin e kaluar i kanë cilësuar kundër kushtetuese dhe të papranueshme.

Pohimet e zëvendëskryeministrit Kujtim Shala se në kushtet e presidentes ishte edhe kundërshtimi që VV-ja të bëhej pjesë e Qeverisë, meqë nuk donin SHBA-të, kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri në pjesën e dytë të intervistës për KosovaPress, i ka quajtur tentim për t’u fshehur nga elektorati i LDK-së, për tradhtinë që i bëri, kur iu bashkua PDK-së në Qeveri.

Ymeri thotë se në kushtet e presidentes nuk është thënë se VV-ja nuk bën që të jetë pjesë e Qeverisë, madje nuk kanë dëgjuar asnjëherë asnjë zyrtar të SHBA-ve, të ketë deklaruar një gjë të tillë.

Sipas kreut të VV-së, kushtet që ka vënë presidentja kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe këto domosdoshmërisht do duhej të luftoheshin.

Aksionet kundër kryeministrit Isa Mustafa, dhe vendimeve të Qeverisë së udhëhequr nga ai, Ymeri thotë se nuk po bëhen për shkak të inateve apo hidhërimeve për tradhtinë që ua bëri vitin e kaluar, por për shkak të ndryshimit të qëndrimeve dhe koncepteve në mënyrë të pabesueshme, duke u bërë faktori kryesor për vënien e SHIK-ut në krye të institucioneve.

Ymeri ka folur edhe për kundërshtimet e Ilir Dedës ndaj aksioneve të Vetëvendosjes, të cilat Deda i ka quajtur të dhunshme. Lideri i Vetëvendosjes tha se zërat, qofshin te VV-ja ose jashtë VV-së të cilët i konsiderojnë aksionet e Vetëvendosjes si të dhunshme, shpërfaqin një mungesë absolute të kuptimit të fjalës dhunë në aspektin teorik dhe praktik të saj.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka folur edhe për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, duke thënë se është e domosdoshme që Kosova ta ketë ushtrinë e vet, pasi ajo do të ishte garanti me i rëndësishëm i integritetit territorial dhe i sovranitetit të vendit. Por, Ymeri thotë se ende nuk kanë vendosur nëse do ta përkrahin ose jo projektligjin për FAK-un, pasi ende nuk e kanë parë atë, nëse ai ndan ushtrinë e Kosovës në baza etnike, ose jo. Madje, në asnjë mënyrë nëse brenda FAK-ut bëhet një batalion siç është përfolur për Veriun e vendit.

Sipas Ymerit, deklarimi i kryeministrit Isa Mustafa se kurdo që i themelojnë Forcat e Armatosura të Kosovës ato nuk do të shkojnë në veri, do të thotë se ai po konsideron se Veriu nuk është pjesë e Kosovës. Madje, sipas tij, nuk ka të drejt as kryeministri, as presidentja që t’ia cungoj fushëveprimin Forcave të Armatosura të Kosovës./lajmi.net/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ymeri-kushtet-e-presidentes-nuk-ishin-qe-vv-te-mos-jete-ne-qeveri/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala