Ymeri: Ka një tjetër marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari I Vetëvndosjes, Visar Ymeri ka shkruar në Facebook, se ka një marrëvshje tjetër për normailzim të marrëdhenieve me Serbinë, duke marrë shembull Kroacinë.

“Ka një marrëveshje tjetër për Normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve të rajonit preambula e së cilës fillon kështu: “Republika Federale e Jugosllavisë dhe Republika e Kroacisë (këtu e tutje ‘Palët kontraktuese’, …” Kjo marrëveshje e nënshkruar në vitin 1996, pra një vit pas përfundimit të luftës, që në fjalinë e parë e siguron ekzistencën e dy shteteve. Këto dy shtete pastaj që në Nenin 1 të Marrëveshjes zotohen se “Palët kontraktuese do të respektojnë njëra tjetrën si shtete të pavarura, sovrane dhe të barabarta brenda kufijve të tyre ndërkombëtar”. Në nenin 8 Palët zotohen se “do t’ua garantojnë kroatëve në Jugosllavi dhe serbëve dhe malazezëve në Kroaci të gjitha të drejtat që u takojnë sipas ligjit ndërkombëtar.” Tjerat janë histori”, shkruan Ymeri në Facebook.

Ymeri ka shtuar se marrëveshja që njihet me emrin e ngjashëm, më saktësisht “Marrëveshja e parë e parimeve që udhëheqin normalizimin e marrëdhënieve”, e nënshkruar mes Thaçit e Daçiqit, nuk ka asnjë referencë të Republikës së Kosovës.

“Nuk ka as Preambulë. Nuk përmenden as palët (përveç në pikën 14 ku përmenden anët në fjalinë ‘asnjëra anë…’). Kjo fillon me këtë pikë: “Do të ketë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë.” Në këtë rast nuk ka dy shtete por një ‘Zajednicë’ e komunave me shumicë serbe në Kosovë (vëreni pa Republikë). Tjerat janë histori e ‘Zajednicës’”, ka vazhduar Ymeri.

Sipas tij, të dy këto marrëveshje janë të arritura nën siglën e Normalizimit të Marrëdhënieve mes shteteve. Por natyrisht, duke i parë dallimet drastike në tekst, vetëm njëra mund të jetë e tillë. Ajo e nënshkruar mes Kroacisë dhe Jugosllavisë i është dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për njoftim dhe e ka karakterin e Marrëveshjes ndërkombëtare. Kjo tjetra e nënshkruar mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit nuk e ka as emrin e aq më pak postin e Hashim Thaçit, por vetëm nënshkrimin.

“Kjo ‘Zajednicë’, dhe miqësia e Thaçit me Daçiqin, e rrënojnë Republikën, e mohojnë historinë kriminale të Serbisë në Kosovë, dhe e defunksionalizojnë shtetin. Thaçi le ta mbajë mikun e tij, por Kosova nuk do ta mbajë ‘Zajednicën’”, ka shkruar në fund Ymeri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ymeri-ka-nje-tjeter-marreveshje-per-normalizimin-e-marredhenieve-me-serbine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala