Ymeri: Isa Mustafa nuk ka legjitimitet

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka reaguar në lidhje me deklarimet e kryeministrit Isa Mustafa, i cili nga kongresi i partive të djathta në Madrid, ka thënë se opozita nuk gëzon përkrahje dhe marrëveshjet po përkrahen indirekt.

“Isa Mustafa nuk ka asnjë të dhënë të vetme, madje as shpikje të aparatit të tij propagandues, që do të tregonte sadopak qëndrimin e qytetarëve karshi marrëveshjeve me Serbinë. Ndërkohë që kur flet për to, siç paska folur në Kongresin e EPP-së në Madrid, thotë se ato përkrahen (në mënyrë indirekte duke thënë që kundërshtimi ndaj tyre nuk po u përkrahka nga qytetarët)”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Ai ka thënë se sondazhet e nxjerrin Qeverinë Mustafa pa legjitimitet.

“Secili sondazh i bërë në Kosovë që prej fillimit të vitit e nxjerrë Qeverinë, e veçanërisht Isën si kryeministër, si dy institucionet më kredibilitetin historikisht më të ulët në Kosovë. Janë mbi 200 mijë qytetarë që kanë nënshkruar Peticion kundër këtyre marrëveshjeve. Dhe Isa prapë pretendon se ka legjitimitet për politikat e vendimet e tij?!”

Më tej i pari i Vetëvendosjes ka shtuar se Mustafa e di vet që nuk ka legjitimitet dhe ka bërë një ndërlidhje në mes Mustafës dhe Gjuriqit për insistimin që kanë për ‘Zajednicën’.

“Ose mund ta lexojmë insistimin e tij ndryshe: Isa Mustafa e di që nuk ka legjitimitet, por ai nuk e vret mendjen për këtë. Ai nuk do t’ia dijë se çfarë mendojnë qytetarët. Sikur Gjuriqit, Isa Mustafës nuk i intereson se çfarë thotë opozita e çfarë thonë qytetarët: ai e do ‘Zajednicën’ të themeluar e funksionale. Pra, sikur Gjuriqi, do ta imponojë atë, në mënyrë absolutisht jo demokratike (duke e reduktuar vendimmarrjen në Qeveri dhe Gjykatë Kushtetuese) e të dhunshme (me rrëmbime e tortura policore ndaj deputetëve e aktivistëve)”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ymeri-isa-mustafa-nuk-ka-legjitimitet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala