Xhihadi s’është romantik

Autori:Zekirja Shabani

“Xhihadi s’është romantik” , u thotë militanti vajzave që duan t’i bashkohen IS-it

Një postim për “nuset e xhihadit”, se si ato jetojnënë territoret e kontrolluara nga militantët e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, është shpërndarë nëpër mediat sociale në vendet rusisht-folëse gjatë kësaj jave.

Postimi është i datës 14 korrik, dhe është bërë në një llogari që tashmë është mbyllur, e cila i përkiste një militanti të Shtetit Islamik nga Kaukazi Verior, i cili e quan veten Djundullah.

“Realisht, a e imagjinoni veten duke ecur pranë lumit Eufrat me burrat tuaj? Për Allahun, jepni fund këtij romanticizmi! Varroseni atë në varrezat e iluzioneve”, thuhet tutje në postim.

Autori i këtij postimi shkon më tutje duke paralajmëruar se çdo iluzion romantik për “nuset” e luftëtarëve dhe për jetën nën territoret e kontrolluara të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak,“bombardimet e para do t’ia prishin magjinë”.

“Jeta nuk është e tillë, ashtu siç përshkruhet në rrjetet sociale”, thuhet tutje në postim.

Ky postim i këtij xhihadisti është shpërndarë në rrjetet sociale VKontakte dhe Facebook dhe është pranuar pozitivisht nga një numër i militantëve të Shtetit Islamik, të cilët janë rusisht-folës, duke sugjeruar se shumë besojnë se ka ndryshim në mes të realitetit dhe se si propaganda e Shtetit Islamik e portretizon jetën e “xhihadistëve”, të paktën për gratë.

Një militant, Abdurakhman ad-Daghestani, ka thënë se ky postim “u është dedikuar femrave”.

Ndërkaq, një militant tjetër, llogaria e të cilit në rrjetin social VKontakte është fshirë, ka thënë se: “ditët e vështira kombinohen me ditë të mirë. Përmes vështirësive vjen lehtësimi. Mos e bëj akoma më të vështirë situatën për motrat tona”, kaporositur ai .

Disa nga militantet femra, gjithashtu janë pajtuar me mesazhin e këtij postimi.

“Koment i ashpër, por i saktë”, ka shkruar një militante femër, e quajtur Imara Khasanova.

Postimi i këtij xhihadisti, ka për qëllim gjoja për të kritikuar gratë që nuk e kuptojnë realitetin e “xhihadit”.

Por, ka një ndjenjë të mburrjes në këtë postim, pasi që autori mundohet që të tregojë se nëpër çfarë gjëra të vështira kalojnë militantët trima, të cilët jetojnë “në botën e vërtetë” të të ashtuquajturit Shteti Islamik, e cila shkon përtej portretizimit që i është bërë në rrjetet sociale.

Përtej kësaj, ky postim shfaq një trend në rritje në mesin e militantëve rusisht-folës, për të gjetur mënyra të reja për të folur për vështirësitë e jetës në Siri. Ky trend sugjeron se disa militantë të rinj të Shtetit Islamik, po e kanë të vështirë të mësohen me realitetin e luftës, veçanërisht ata që humbin shokët e tyre në beteja.

Postimi thotë se “hixhra”- një shprehje në gjuhën arabe që do të thotë migrimi në tokat e kontrolluara nga Shteti Islamik- dhe “xhihadi nuk janë romancë”.

Ky zhvillim, i cili bie ndesh me propagandën e Shtetit Islamik, në të cilën thuhet se militantët që marrin rrugën e “hixhras”janë “në rrugën e Allahut”, dhe se nuk duhet të ndihen të frikësuar dhe të jenë të trishtuar. Pavarësisht luftës, ata duhet të ndihen të gëzuar se janë pjesë e një beteje historike “kundër të pafeve” dhe në krijimin e “kalifatit”.

Por, duke e u ballafaquar me humbje të mëdha në betejat e fundit, militantët rusisht-folës, janë duke shprehur ndjenjat e tyre të vërteta nëpër rrjetet sociale.

Kur vëllai yt më i ngushtë heq dorë nga kjo botë dhe shkon në rrugën e Allahut, kjo botë më pas bëhet aq e parëndësishme dhe patetike”, ka shkruar një militant kazak i quajtur Artyom.

“Edhe në momentet kur nuk dëshiron më të jetosh dhe më pas shikon vëllezërit që kanë rënë martir, ti e sheh botën në formën e saj të vërtetë dhe e kupton se sa e parëndësishme është dhe më pas ti dëshiron që ta lësh atë sa më parë”, thuhet në postim.

Mesazhi për gratë, të cilat i janë bashkuar Shtetit Islamik dhe mendojnë se “xhihadi” është “romantik”, vjen edhe si pasojë e rritjes së pakënaqësive në mesin e militantëve, të cilët po ankohen se nuk ka “nuse” të mjaftueshme për ta në Siri.

Propaganda e rekrutimit e pranon se procesi i “hixhras” është i rrezikshëm dhe i vështirë. Por, gjithashtu, inkurajon gratë që t’u bashkohen militantëve të Shtetit Islamik, duke e konsideruar atë si gjest romantik dhe duke iu premtuar “burra muxhahedin, të cilët e kanë frikë Zotin dhe janë të sinqertë”.

Në propagandën e Shtetit Islamik thuhet se gratë që u bashkohen atyre, do të marrin pjesë “në ngjarje të rëndësishme të islamit”./REL/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/xhihadi-seshte-romantik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala