Xhabir Zharku e Leme Xhema shfrytëzojnë Kodin Penal për t’u shfajësuar

Autori:Avdyl Pajaziti

Ish-drejtoresha e PTK-së, Leme Xhema, e cila ishte dënuar me 3 vjet heqje lirie, po shëtitet e lirë në Kosovë, kjo pasi asaj i është vjetruar rasti.

E parashkrimi i lëndëve, që rregullohet me Kodin Penal të Kosovës, vazhdon të mbetet problem për sistemin e drejtësisë në Kosovë, raporton KTV.

Monitoruesit e sistemit të drejtësisë thonë se lëndët që nuk shqyrtohen me kohë, sipas afateve ligjore ose kur të dënuarit ikin nga Kosova dhe Policia, nuk arrin t’i ndalë, atëherë ato me ligjet në fuqi janë raste të paprekshme nga shteti.

Betim Musliu, nga Instituti Kosovar për Drejtësi, ka thënë se ky është dështim i sistemit të drejtësisë.

Ndërkaq, duke folur për rastin konkret të Leme Xhemës, ai ka pohuar se një fat të njëjtë mund ta ketë edhe ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Kurse, Arton Demhasaj, nga organizata “ÇOHU”, e ka quajtur skandal numrin e madh të lëndëve të parashkruara dhe mosfunksionimin e drejtësisë.

Në Ministrinë e Drejtësisë kanë thënë se Kosova ka nënshkruar Marrëveshje me EULEX-in për lehtësimin e komunikimit me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në këtë drejtim i gjithë komunikimi ka qenë përmes EULEX-it edhe pse për rastin në fjalë autoritetet serbe nuk kanë qenë të hapur për bashkëpunim.

Derisa Daut Hoxha nga Policia e Kosovës ka deklaruar se Leme Xhema ka qenë në kërkim nga Policia e Kosova në bazë të urdhër arrestit të Gjykatës.

E pasi që e njëjta sipas tij, nuk ka mundur të arrestohet në Kosovë për të është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar.

Hoxha ka pohuar se Gjykata në korrik të këtij viti ka bërë tërheqjen e letër arrestit ndërkombëtar.

Ndërkohë, Parashkrimi i lëndës penale bëhet kur kryesi i veprës penale nuk mund të zbulohet ose mund të ndodh që kryesi të dihet, të dënohet, por nuk mund të bëhet ekzekutimi i dënimit sepse Policia nuk ka mundur të arrestojë personin e dënuar.

Pas kësaj, shteti humb të drejtën e ndjekjes për kryesit e veprave penale, transmeton Koha.net.

Ndërsa, parashkrimi absolut i ekzekutimit të dënimit përcaktohet në Kodin e vjetër dhe Kodin e ri Penal të Kosovës, ku thuhet se “ekzekutimi i dënimit ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës që kërkohet nga ligji për afatin e parashkrimit”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/xhabir-zharku-e-leme-xhema-shfrytezojne-kodin-penal-per-tu-shfajesuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala