VV: Zajednica po e ndan sërish Mitrovicën

Autori:Avdyl Pajaziti

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Mitrovicë e ka kundërshtuar kundërshton kategorikisht përfshirjen e fshatrave Suhadoll, Vinarc dhe Gushafc në kuadër të komunës veriore të Mitrovicës, e cila edhe ashtu është formuar kundër dëshirës së qytetarëve si rezultat i pakos së Ahtisaarit, por ku sipas kësaj pakoje këto fshatra deri tani i takojnë komunës në jug të lumit Ibër.

Vetëvendosje thekson se kërkesa e serbëve që në komunën e veriut të përfshihen të gjitha vendbanimet, fshatrat dhe lagjet shqiptare deri në lumin Ibër është produkt i marrëveshjes së fundit të 25 gushtit gjatë dialogut për krijimin e Zajednicës.

“Me të krijohen parakushtet për një spastrim etnik të ri e të heshtur dhe kalim në kontroll të plotë të të gjithë rrjedhës së lumit Ibër dhe liqenit të Ujmanit në duar të serbëve. Kjo po tentohet të bëhet nëpërmes nënshkrimit të një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi ndërmjet dy komunave me çka në datën 10 tetor dhe do të definoheshin kufijtë e ri administrativë ndërkomunal”, vlerëson Vetëvendosje.

Sipas kësaj lëvizje, ky akt do të shoqërohej edhe me largimin e barrikadës mbi urën e lumit Ibër me 15 tetor, por vetëm sa për të filluar me një renovim së paku 6 mujor me çka do të pamundësohej shfrytëzimi i kësaj ure tash edhe për këmbësorë.

“Duhet rikujtuar se me përfshirje e këtyre fshatrave në komunën veriore ato automatikisht do të qeverisen nga ‘Zajednica’, respektivisht të dërguarit e Beogradit në Kosovë. E si kujdesen ata për shqiptarë vlen vetëm ta kujtojmë natën e 4 Shkurtit të vitit 2000, ku brenda një nate u vranë 10 dhe u dëbuan mbi 12000 qytetarë”, thuhet në komunikatën e VV-së.

“Çdo nënshkrim i një marrëveshjeje të tillë është e barasvlershme me tradhti kombëtare, shkelje e gjakut të dëshmorëve dhe atyre që dhanë jetën duke mbrojtur pronat e tyre në veri”, vlerëson Vetëvendosje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vv-zajednica-po-e-ndan-serish-mitrovicen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala