VV: Pozitës nuk po i intereson për shqiptarët në Maqedoni

Autori:Avdyl Pajaziti

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se Qeveria e Gruevskit ka shkaktuar një dhunë që cakun e kishte etnik.

Ai tha se dhuna ishte e orientuar në shqiptarë dhe në lagjet shqiptare të Kumanovës.

“Kemi parë jo vetëm dhunë, jo vetëm akte nga më të papranueshmet nga policia maqedonase, por shumë njerëz ende janë të arrestuar. Ata po kalojnë nëpër procese gjyqësore me prapavijë politike. Me mijëra qytetarë edhe janë larguar nga Kumanova, një pjesë e madhe e të cilëve ende ndodhen në Kosovë”, theksoi Konjufca.

“Ditë më parë, Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, ka deklaruar që ne dimë gjithçka çka ka ndodhur në Kumanovë, por nuk mund t’ua jap informacionin. Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë që ajo që ka ndodhur në Kumanovë ka qenë masakër (i njëjti sot është kundër që kjo çështje të trajtohet në Kuvend, gjë që fakton dyfytyrësinë e tij). Edhe AKI kishte bërë një raport më herët, para se të ndodhnin ngjarjet në Maqedoni, përmes të cilit informonte institucionet e Kosovës se Gruevski po përgatitet ta inskenojë një dhunë të madhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni. “Të gjitha këto janë arsye shtesë që ka qenë më se e nevojshme mbajtja e një seance për Kumanovën”, tha Konjufca.

Por, sipas tij, mazhoranca LDK-PDK e ka kthyer institucionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në një institucion të pandjeshëm ndaj interesave tona kombëtare.

“E kanë kthyer në institucion indiferent ndaj asaj se çka ju ndodh shqiptarëve nëpër qytetet shqiptare”, tha në fund Konjufca.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vv-pozites-nuk-i-intereson-per-shqiptaret-ne-maqedoni/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala