VV-ja u bën thirrje qytetarëve dhe aktivistëve: Ejani te Kuvendi në 14.30

Autori:Avdyl Pajaziti

Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një njoftimi u ka bërë thirrje qytetarëve dhe aktivistëve të saj që të mblidhen para ndërtesës së Kuvendit – në orën 14.30.

Ja çfarë thuhet në thirrjen e VV-së:

Thirrje për qytetarë e aktivistë: Në orën 14:30 tubohemi pranë Kuvendit

Edhe një herë deputetët e Opozitës së Bashkuar e kanë ndalur vazhdimin e seancës së Kuvendit. Pa dhënë dorëheqje qeveria që ka shkelur Kushtetutën, qeveria shkaktare e degjenerimit të shtetit, sovranitetit, drejtësisë, demokracisë dhe ekonomisë në Kosovë, nuk mund të pretendohet se ka normalitet institucional.

Në seancën e datës 19 shkurt deputetët e opozitës lëshuan tre herë gaz lotsjellës. Më pas, një pjesë e madhe e deputetëve opozitarë u nxorën me dhunë prej sallës ku ata përfaqësojnë dhe mbrojnë vullnetin e popullit të shprehur në protestat gjithëpopullore të 9 janarit dhe 17 shkurtit. Në sallën e seancave sot më shumë ka pasur policë e truproja se sa deputetë.

Deputetja Albulena Haxhiu është lënduar rëndë pas sjelljes brutale policore, dhe është dërguar në spital. Deputetët Donika Kadaj-Bujupi, Besa Baftiu dhe Pal Lekaj janë arrestuar. Shumë deputetëve të tjerë po iu ndalohet hyrja në Kuvend.

Jashtë Kuvendit një tubim prej rreth 2000 protestuesish, i cili po rritet vazhdimisht, është duke mbështetur protestën e opozitës. I bëjmë thirrje qytetarëve dhe aktivistëve që të grumbullohen sa më shumë në afërsi të Kuvendit dhe t’i bashkëngjiten tubimit.

Pushteti i kontrabandistëve po dëshiron ta kontrabandojë Thaçin në postin e presidentit. Por Kosova ka nevojë që kriminelët t’i ketë në burg e jo në pushtet. Nuk do ta lejojmë presidencën e Thaçit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vv-ja-u-ben-thirrje-qytetareve-dhe-aktivisteve-ejani-te-kuvendi-ne-14-30/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala