VV edhe në Gjilan, shpon gomat e veturave zyrtare reagon komuna

Autori:Gazeta Fjala

Pas aksionit të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, aktivistë të së cilës kanë shpuar gomat e veturave zyrtare, ka reaguar kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

Ai thotë se edhe përkundër investimeve të mëdha që janë duke u bërë në infrastrukturën e qytetit, Vetëvendosje në mënyrë tinëzare ka shpuar gomat e veturave zyrtare të Komunës.

“Pas punëve që janë duke u bërë në Komunën e Gjilanit në vlerë prej 5 milionë euro në zëvendësim të gypave të asbestit dhe rregullimit të lumit “Mirusha” e “Stanishorka” dhe ujërave të zeza gjithandej territorit të Komunës në vlerë prej 7 milionë euro, sot Vetëvendosje në Gjilan në mënyrë tinëzare ka shpuar gomat e veturave zyrtare të Komunës”, thuhet në reagimin e Komunës së Gjilanit.

Ndërkaq, këtë veprim të këtyre aktivistëve, Haziri e ka quajtur të jashtëligjshëm dhe të dënueshëm me ligjet e Republikës së Kosovës.

“Duke e kuptuar vokacionin e Vetëvendosjes në qendër, shpresoj që të mos bartet dhuna edhe në Gjilan, në qytetin e demokracisë, sepse aksionet e tilla të dëmtimit të pronës publike janë të papranueshme dhe si të tilla të dënueshme me ligjet e Republikës”, ka theksuar më tej Haziri, kryetari i Gjilanit.

“Sa për informatën e individëve të frustruar, të cilët, po e përsëris, s’e kanë kaluar as Llabjanin, e le më të merren dhe kuptojnë politikat nacionale, ‘decentralizimi i Lutës’ e ka sjellë Pavarësinë e Kosovës, ndërkaq ‘Zajednica’ e Vetëvendosjes po e rrënon këtë Pavarësi”, thuhet në reagimin e të parit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri transmeton Gazeta Fjala.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vv-edhe-ne-gjilan-shpon-gomat-e-veturave-zyrtare-reagon-komuna/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala