VV: Drejtësia selektive e Isa Mustafës

Autori:Avdyl Pajaziti

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me dënimin prej 3 muajve burg ndaj, Alban Morinës i cili kishte kërcënuar djalin e kryeministrit Mustafa, dhe ministrin Arban Abrashi.

Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka theksuar se sot me një shpejtësi të pazakonshme për sistemin tonë të drejtësisë, u dënua një qytetar që i shqetësuar për padrejtësitë që po i bëhen Kosovës, paska “kërcënuar” ministrin Arban Abrashi dhe djalin e kryeministrit.

“Derisa vetë kryeministrit i trajtohen tash e 2 vite 70 lëndë për krime e korrupsion; derisa djemt e tij tash e 2 vite kanë procese të hapura për keqpërdorime; derisa gjithandej nëpër media raportohet nepotizmi me tendera i kryeministrit Mustafa; derisa Ramadan Muja i PDK-së tash e 2 vite nuk gjykohet për keqpërdorimet e komunës… gjykatat e Isa Mustafës godasin qytetarët, vetëm atëherë kur cënohen familjarët apo ministrat e tij”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosje më pas përmes këtij njoftimi ka shtuar se ditëve të fundit e pamë hapur se si preokupimi kryesor i kësaj qeverie është ruajtja e pronave të veta private.

“Qeveria nuk brengoset aspak për shtetin që po e defunksionalizon dhe ndanë etnikisht, nuk brengoset aspak për gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve që po ua rritë çmimet. Qeveria brengoset vetëm kur janë në pyetje djemt e kryeministrit, ministrat dhe familjet e pronat e tyre private.

Para disa ditësh, deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Fisnik Ismaili u kërcënua publikisht nga Ramiz Hoti, zyrtar i Policisë së Kosovës. Askush nuk ndërmorri asgjë për këtë rast. Ndërkaq, para ca kohësh, një zyrtar tjetër policor me emrin Samet Uka kërcënoi deputetin e VETËVENDOSJE!-s Albin Kurti me “kallje me benzinë”. Askush nuk ndërmorri asgjë për këtë rast”, është thënë në njoftim.

Ne nuk e kuptojmë se çfarë shteti demokratik e i drejtë qenka ky, që kur kërcënohet djali i kryeministrit apo ndonjë vartës i tij, reagon Policia me shpejtësi enorme dhe gjykata bëhet jashtëzakonisht efikase, ndërsa kur një zyrtar i shtetit kërcënon deputetin e opozitës, as nuk merret në pyetje nga policia se lëre më të arrestohet apo dënohet./Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vv-drejtesia-selektive-e-isa-mustafes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala