VV do ta kundërshtojë themelimin e Speciales

Autori:Avdyl Pajaziti

Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarrë të gjitha veprimet demokratike për të parandaluar votimin për themelimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës

Kryetari i VV-së Visar Ymeri tha në debatin “Fol Hapur” të Lëvizjes Fol, se do ta kundërshtojnë këtë gjykatë, pasi shkel sovranitetin e shtetit dhe është drejtësi selektive meqë do të merret vetëm me krimet e pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ymeri theksoi se VV do ta kundërshtojë themelimin e Gjykatës Speciale, pasi themelimi i saj është futje e një njësie paralele në sistemin gjyqësor të Kosovës – dhe njëkohësisht krejt autonom dhe të pavarur nga ky sistem – dhe është ndërhyrje në sovranitetin e shtetit.

“Ne e kundërshtojmë themelimin e kësaj Gjykate Special, këtë e kemi bërë disa herë të qartë. Kjo mënyrë e trajtimit të këtyre akuzave të cilat po ashtu rrjedhin nga akuza që vinë nga Prokuroria e Serbisë, të përmbledhura pastaj në Raportin e Dick Marty-t dhe të sublimuar në raportin e prokurorit Williamson, raporton kp, janë edhe të padrejta për shkak të tendencës për ta rishkruar ose rikuptimësuar historinë e vonë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, e në anën tjetër janë edhe të dëmshme për shkak të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në sovranitetin e Republikës së Kosovës”, tha Ymeri.

Lideri i VV-së shtoi se Kosova dhe qytetarët e saj asnjëherë nuk duhet t’i thonë jo drejtësisë, as nuk duhet të insistojnë që çështjet apo aludimet për krime të mos trajtohen, por duhet një herë e përgjithmonë të vendosin ta bëjnë një sistem gjyqësie vendore, i cili është funksional, i unifikuar dhe i cili është i pavarur në trajtimin e këtyre krimeve.

“Gjykata Speciale nuk është se do ta zgjidhë këtë. Gjykata Speciale mëtohet të jetë një Gjykatë ose një sistem paralel drejtësie, i cili do të jetë ekskluzivisht i përqendruar në një raport që i ngrit disa dyshime për krime dhe i cili edhe më keq do të jetë i përqendruar në drejtësi selektive”, theksoi ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vv-do-ta-kundershtoje-themelimin-e-speciales/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala