Vulin: Serbia është në Kosovë

Autori:Zekirja Shabani

Ministri i Punës, Veteranëve të Luftës dhe të Çështjeve Sociale në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin ka qëndruar të dielën në komunën e Mitrovicës Veriore.

Në kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Ministrit të Integrimeve Evropiane të kosovës, Bekim Çollakut se Serbia heshturazi po e njeh pavarësinë e  Kosovës, ai tha se kjo është një deklaratë politike dhe Serbia asnjëherë nuk do të bjerë në lojëra të tilla.

Ai ka thënë me ironi se Çollaku nuk mund ta konsideroj Kosovën e pavarur kur për pavarësinë e saj duhet të negociohet me qeverinë e ndonjë shteti tjetër.

“Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe për ne kjo është zona nën administrimin e bashkësisë ndërkombëtare në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Vulin.

Ai tha se Ministria të cilën udhëheqë nuk do të qëndroj duarkryq në Kosovë.

“Serbia është këtu dhe nuk do të largohet dhe të gjitha elementet e Ministrisë së Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale veprojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, tha Vulin për gazetarët, duke shtuar se “këtu veprojnë dhe Fondi Pensional Kombëtar dhe Qendra për Punë Sociale”.

Sa i përket integrimit të Mbrojtjes Civile Vulin ka thënë se është në kompetencë të Zyrës për Kosovë dhe Metohi dhe negociatorët në Bruksel të vendosin për ta.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vulin-serbia-eshte-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala