Vuçiq pritet nga kryeministri Edi Rama

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbërriti në Tiranë, rreth orës 11.00, ku në Pallatin e Brigadave është pritur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ceremonia e mirëseardhjes do të pasohet me një takim kokë më kokë mes dy kryeministrave Rama dhe Vuçiq, për të vijuar pas orës 12.00 me takimin mes delegacioneve.
Rreth orës 13.00 është parashikuar një konferencë për shtyp e dy kryeministrave.
Vuçiq do të pritet edhe nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe rreth orës 16.00 do të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, e më pas me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Në agjendë është paraparë edhe një darkë zyrtare mes dy delegacioneve.
Të enjten, kryeministri Vuçiq do të jetë pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës.
Jo zyrtarisht, bëhet e ditur se kryeministri serb do të shoqërohet në këtë vizitë nga disa anëtarë të kabinetit të tij që kanë lidhje me ekonominë dhe disa gazetarë të mediave publike. /Top channel/