Vuçiq në qershor në SHBA, ballafaqohet me rastin Bytyqi

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq do të vizitojë në qershor Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pret që, në takimet zyrtare që do të ketë në Uashington, nikoqirët të hapin edhe temën e rastit Bytyqi – tre vëllezërve shqiptarë, shtetas amerikanë, të vrarë në Serbi në vitin 1999, transmeton KosovaPress-i.

Vuçiq për gazetën beogradase “Blic” ka deklaruar se me nikoqirin e tij, nënkryetarin amerikan Joe Biden, do të bisedojë për marrëdhëniet bilaterale, për “zgjidhjen e problemit të Kosovës”, por pret që të hapet edhe tema e vrasjes së tre vëllezërve – Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, më 1999 në Petrovo Sello, rast ky që në Serbi ende nuk ka epilog gjyqësor.

Sipas kryeministrit serb, vizita që do t’ua bëjë muajin e ardhshëm SHBA-ve është shumë e rëndësishme për Serbinë dhe pret që të rezultojë me “marrëdhënie edhe më të mira me Shtetet e Bashkuara”.

“Serbia dëshiron të ketë marrëdhënie sa më të mira me SHBA-të, politika e qeverisë sonë është kujdesi për të ardhmen e Serbisë dhe në dritën e kësaj shpresojmë se do të kemi marrëdhënie sa më të mira politike dhe ekonomike me SHBA-të”, ka deklaruar Vuçiq për gazetën “Blic”, e cila shkruan se vizita e kryeministrit serb Uashingtonit do të realizohet në qershor, e jo në shtator, siç qe paralajmëruar më parë.

“Analizën e së kaluarës ua lëmë të tjerëve, ndërsa puna jonë është që përmes plotësimit të obligimeve tona të tregojmë se jemi partner i besueshëm i SHBA-ve në këtë pjesë të Evropës”, ka thënë Vuçiq, duke shfaqur shpresën se Serbia do të ketë përkrahjen e Uashingtonit në rrugën e saj evropiane.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vuciq-ne-qershor-ne-shba-ballafaqohet-me-rastin-bytyqi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala