Vrasja e çiftit në Tiranë: detajet nga Policia

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Tiranës publikoi disa detaje të reja të atentatit të ndodhur mbrëmë në orën 20:00, në zonën e lulishtes “1 Maji”, ku mbetën të vrarë 2 persona dhe u plagos një tjetër.

Policia ka konfirmuar se kallashnikovi i gjetur në Lanë është përdorur në atentatin e mbrëmshëm.

Gjithashtu ajo tha se shtetasi i cili ka mbetur i plagosur në këtë ngjarje, Elvis Gaçaj, 40 vjeç, banues në Tiranë, rezulton me precedent të mëparshëm penal për një sërë veprash penale të dokumentuara si: “Vrasje”,”Grabitje”, si edhe për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Nga kontrolli i ushtruar nga forcat e Policisë në banesën e shtetasit Kevin Rugova, 23 vjeç, banues në Tiranë, ju gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël kokainë.

Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja armë zjarri pistolete tip TT, si edhe 23 gëzhoja armë zjarri automatik, shkruan lapsi.al.

Siç raportojnë mediat shqiptare, dy persona janë vrarë me armë zjarri rreth orës 20:00 në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të lulishtes “1 Maji”.

Sipas të dhënave të para, raporton shekulli, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri tip “Kallashnikov” në drejtim të makinës tip BMW me targa AA 675 JS, ndërsa mjeti ishte në lëvizje.

Për pasojë kanë mbetur të vdekur një djalë dhe një vajzë, që më vonë u identifikuan si Aurora Oskyan dhe Kevin Rugova, ndërsa është plagosur Elvis Gacaj.

Dy të parët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i plagosuri është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e vrasjes, makina ka qenë në lëvizje dhe drejtohej nga Elvis Gacaj, ndërsa Aurora Oksyan dhe Kevin Rugova kanë qenë pasagjerë.

Forca të shumta policore shkuan në vendin e ngjarjes, ku kanë nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë.

Gjithashtu, disa postblloqe janë ngritur në pika të ndryshme të kryeqytetit, për të kapur autorët.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vrasja-e-ciftit-ne-tirane-detajet-nga-policia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala