Vrasja e Bin Ladenit, gënjeshtër

Shtëpia e Bardhë po e gënjen publikun se Shtetet e Bashkuara e kanë vrarë Bin Ladenin në majin e vitit 2011.
Kështu pretendon gazetari Seymour Hersh, fitues i çmimit “Pulitzer”, transmeton Klan Kosova.
Në një artikull të publikuar në “London Review of Books”, ai shkruan se vrasja e kryeterroristit është e pavërtetë duke u nisur nga fakti se presidenti amerikan, Barack Obama, e bëri të ditur lajmin për vdekjen e Ladenit duke thënë se ai u vra pas një luftimi me ushtarët amerikanë, ndonëse sipas tij, zyrtarët pakistanezë nuk ishin njoftuar paraprakisht për bastisjen nga ana e amerikanëve.
Gazetari hulumtues amerikan shkruan më tej se ish-kreu i Al-Qaedas nuk ishte duke u fshehur në Pakistan, ashtu siç kishte informuar qeveria amerikane.
Hersh pretendon se Shërbimet e Brendshme të Inteligjencës në Pakistan po e mbanin Ladenin si të burgosur deri në momentin kur një zyrtar i këtyre agjencive e informoi Amerikën për vendnodhjen e tij në shkëmbim të 25 milionë dollarëve.
Vetëm pak orë pas publikimit, artikulli i Hersh ka tërhequr vëmendjen e publikut duke ngritur shumë pikëpyetje.
Hersh deklaron se burimet e tij kryesore të informatave vijnë nga burimet e brenda shërbimeve të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.
Ai ka thënë se e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për ndonjë koment, por nuk ka marrë përgjigje.