Vlerësohet e lartë kamata prej 7% për “Kosovën e Re”

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë kritikuar normën e lartë të interesit për kredinë me të cilën do të financohet ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”.

Rreth 700 milionë euro për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” do të sigurohen përmes kredive. Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, të martën, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se norma e interesit për kredinë, me të cilin do të financohet 70 për qind e projektit, do të jetë rreth 7 për qind.

Kompetenca për negocimin e këtyre kredive i është lënë kompanisë “Contour Global”, e cila është shpallur ofertues i preferuar nga Qeveria e Kosovës për jetësimin e termocentralit 500-megavatesh, shkruan sot Koha Ditore.

Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik ka thënë se norma prej 7 për qind është shumë e lartë për projekte të tilla të mëdha. Ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përfshihet në negociata bashkë me “Contourin” në mënyrë që të ulet kjo normë e interesit prej 7 për qind.

Ka marrë përgjigje të menjëhershme nga ministri Blerand Stavileci, i cili ka thënë se Qeveria nuk është palë në negociatat për sigurimin e financimit të këtij projekti, pra të kredisë.

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” pritet të ketë një kosto prej 1 miliard eurosh.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vleresohet-e-larte-kamata-prej-7-per-kosoven-e-re/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala