Vjosa osmani: “Fjalimi që nuk munda ta lexoj”

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputetja Vjosa Osmani nga rradhët e LDK-së, ka publikuar fjalimin e saj të cilën kishtë në plan ta lexonte në seancën e sotme të Kuvendit, por iu pamundësua nga ndërprerja e seancës.

Të nderuar kolegë deputetë:

Të nderuar qytetarë:

Para zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, secili prej nesh kishim mundësinë të flasim me qytetarët dhe të kërkojmë besimin e tyre, të tregojmë pse e meritojmë votën e tyre (për herë të parë apo rizgjedhje), dhe u zotuam se çdo veprim i yni, nëse do zgjedheshim, do të ishte në interes të tyre. Ajo që pasoi, pas rezultatit të zgjedhjeve, ishte një ndër sfidat më të mëdha të demokracisë sonë të brishtë, që edhe njëherë dëshmoi ndikimin e politikës dhe të krimit në institucione që do të duhej të ishin të pavarura. Shumicës parlamentare ju mohua e drejta e formimit të institucioneve, në kundërshtim me çdo standard demokratik, dhe ajo që po ndodhë edhe sot, është rezultat i drejtpërdrejt i gabimeve dhe dështimeve që ndodhën në 6 muajt e parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve. Polarizimi ekstrem në mes të Qeverisë dhe opozitës nuk është aspak i befasishëm, kur shihen faktorët që e nxitën dhe e shkaktuan atë. Por, ky polarizim po dëmton interesin e secilit qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake. Tash, kur u bë më shumë se 1 vit që nga zgjedhja jonë, të ndalemi dhe t’a pyesim veten, secili prej nesh, nëse situata dhe veprimet e këtyre ditëve janë ajo për të cilën qytetarët na besuan votën. Të pyesim nëse premtimi se do të punojmë në interes të tyre vërtetë po realizohet kështu.

Përgjigja është JO. Kjo është rruga e gabuar.

Qytetarët e Kosovës janë ndër popujt më paqedashës së botë. Ne, me paqe, fituam simpatinë dhe përkrahjen e popujve dhe liderëve më të fuqishëm në botë në kohën kur ekzistenca jonë si popull vihej në rrezik. Janë po këta qytetarë që sot kanë nevojë që të shohin shembuj të mirë të udhëheqjes e të përfaqësimit edhe nga liderët e vetë, e jo vetëm nga liderët e shteteve të huaja. A meritojnë qytetarët e Kosovës përfaqësues që nxisin dhunë? A meritojnë përfaqësues që dëshirojnë të mbajnë me çdo kusht seancat e Kuvendit sikur të ishim në gjendje lufte, pa qenë të gatshëm të bisedojnë me kolegët e tyre? A e meritojnë qytetarët të shohin deputetët teksa sulmojnë kolegët e tyre me mjete të rrezikshme, apo në prani të familjeve të tyre? A e meritojnë qytetarët të shohin liderët tek të cilët ata kishin besimin se do u përmirësojnë jetën e fëmijëve të tyre teksa shajnë e ofendojnë njëri tjetrin? Cili është shembulli që po i jepim fëmijëve të Kosovës? Ky Kuvend, që nga zgjedhja, ka dhënë vetëm shembuj të shkeljes së demokracisë, shembuj të dhunës, shembuj të fyerjeve, shembuj të krahasimeve me kafshë, shembuj të turpit, shembuj të gjithçkaje përpos shembuj të përfaqësimit të denjë dhe të mbrojtjes së interesave të qytetarëve. Dhe për këtë duhet të turpërohemi të gjithë. Duhet të turpërohemi që paraqesim gatishmëri për dialog me udhëheqës të Serbisë, disa prej të cilëve kanë luajtur rol të rëndësishëm në planet për shfarosjen e popullit tonë, por në asnjë moment nuk ka gatishmëri për t’u takuar me njerëzit tanë, me shqiptarët tanë. Dhe këtë gatishmëri për dialog me Serbinë e kanë treguar të gjithë liderët, qeveri apo opozitë, tash apo para disa muajsh.

Vetëm 16 vite më parë të gjithë e kishim një ideal të përbashkët, dhe secili ka dhënë kontributin e vetë në mënyrën e vetë, ndërkaq sot, sillemi si armiq, nxisim luftë qytetare, nuk ja falim gabimet njëri-tjetrit së paku për t’u ulur në tavolinë dhe për të dhënë një shembull të bashkëpunimit, të edukatës dhe të përfaqësimit të denjë të asaj që qytetarët e presin nga ne.

Ulja në tavolinë dhe dialogu qeveri-opozitë nuk do të thonë që njëra palë është dorëzuar para tjetrës. Përkundrazi, tregon se e respektojmë njëri-tjetrin, e rrjedhimisht të gjithë qytetarët pavarësisht kënd e kanë votuar ata. Tregon se para se t’i kalojmë kufijtë tanë shtetëror për të bërë dialog me të tjerët, jemi të gatshëm të bëjmë dialog me njëri-tjetrin, me njerëzit tanë dhe me qytetarët tanë. Poashtu tregon se besojmë në fuqinë e argumenteve tona. Sot, përkundrazi, fuqia e vetme që po tregohet është ajo e dhunës – pavarësisht a është dhunë fizike, dhunë e provokimeve, dhunë e ofendimit të njëri-tjetrit. Mbi të gjitha, po ushtrojmë dhunë mbi besimin e qytetarëve. Dhunë psikologjike ndaj tyre. Po e vrasim edhe atë pikë të fundit shprese që ka mbetur në ta.

A janë këto pamje të dhunës ajo për të cilën punuan dhe u sakrifikuan gjenerata të tëra? Secili politikan duhet të jetë i vetëdijshëm se nëse vazhdohet me këtë qasje, përshkallëzimi i situatës do të sjellë pasoja të paparashikueshme për Kosovën dhe për secilin qytetar të saj. Ne nuk jemi zgjedhur për t’a jetësuar profecinë e Serbisë se ‘Kosova është shtet i dështuar’. Përkundrazi, jemi zotuar dhe betuar se do të punojmë për t’a forcuar shtetësinë e saj. Prandaj secili i zgjedhur e ka për detyrë që këtë betim dhe obligim ndaj qytetarit ta përmbushë para se të bëhet shumë vonë.

_____________________________________________________

* Pika e parë në rendin e ditës së seancës sot do t’u jepte deputetëve mundësinë të deklarohen për cështje në interes të qytetarëve. Ky është fjalimi që unë sot kam planifikuar t’a lexoj, por nuk pata mundësi, për shkak të rrethanave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vjosa-osmani-fjalimi-qe-nuk-munda-ta-lexoj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala