Vjosa Osmani e Isa Mustafa, delegatë me aklamacion

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe Vjosa Osmani sikurse Isa Mustafa është zgjedhur delegate me aklamacion në lagjen Bregu i Diellit, të Degës së tretë të LDK’së. Megjithëkëtë, ajo një ditë më parë kishte thënë në një intervistë televizive se është zgjedhur me votë të fshehtë e jo sikurse Isa Mustafa me aklamacion.

Në mbledhjen e nëndegës së Bregut të Diellit, të Degës së tretë të LDK-së, kandidatja për kryetare të kësaj partie, Vjosa Osmani është zgjedhur me aklamacion për delegate në e Degës.

Shkëlzen Spahiu, kryetar i kësaj nëndege, ka konfirmuar për portalin Koha.net se deputetja Osmani është zgjedhur delegate me aklamacion, bashkë me të tjerët, pas ndryshimeve që janë bërë në rregullore.

“Janë disa nene në rregullore, Kuvendi ka të drejtë që të ndryshojë rregulloren edhe e kemi bërë ato ndryshime me propozimin e një delegati aty që të votohen të gjithë me aklamacion, me votë të hapur mos me hy me vota të fshehta”, ka thënë Spahiu.

Ai ka theksuar se një anëtar i thjeshtë ka propozuar ndryshimin e neneve 12, 13 dhe 15 të rregullores së Kuvendit të punës që ka mundësuar votimin me aklamacion.

“Nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe kanë shkuar gjithë të propozuarit. Është një lloj marrëveshje që bëhet paraprakisht”, ka shtuar ai.

Spahiu ka shtuar se nuk është bërë asnjë shkelje e statutit të LDK-së me ndryshimin e rregullores së Kuvendit të punës dhe se vota me aklamacion është e drejtë.
“Varet prej interpretimit. Dikush thotë që organi ka të drejtë me ndryshu rregulloren e dikush thotë jo. Faktikisht ka qenë e drejtë”, ka thënë Spahiu.

Portali Koha.net ka provuar që të kontaktojë edhe me Vjosa Osmanin, por këtë e ka pasur të pamundur.

Me aklamacion ishte zgjedhur edhe kreu aktual i LDK-së dhe kryeministri Isa Mustafa, në degën e tij.

Në kundërshtim me statutin dhe rregulloren për zgjedhjet në LDK, Mustafa, ishte kërkuar që ai të votohej me aklamacion e jo me votim të fshehtë, siç edhe do të duhej.

Në nenin 22 të Statutit të LDK-së thuhet se zgjedhja e organeve të LDK-së bëhet me votim të fshehtë. Akoma më e qartë është rregullorja e zgjedhjeve e LDK-së që në nenin 13 thotë qartë se delegatët për Kuvend të LDK-së zgjidhen me votim të fshehtë me më shumë kandidatë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vjosa-osmani-e-isa-mustafa-delegate-me-aklamacion/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala