Vizat nuk i heqin telashet e kosovarëve

Heqja e vizave dhe lëvizja e lirë drejt zonës Schengen për qytetarët e Kosovës nuk është mjet për t’u ikur problemeve, ka thënë përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas tij, Kosova duhet të ofrojë argumente bindëse për vendet anëtare të BE-së se e meriton t’i hiqen vizat. Këto komente përfaqësuesi i BE-së i ka bërë gjatë një konference të organizuar nga Kolegji ISPE me temën “Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian: sfidat dhe prioritetet”.
“Procesi i liberalizimit të vizave varet nga plotësimi i kritereve dhe këtë e tha edhe komisionieri Avramopoulos që ishte për vizitë dje në Kosovë. Ai kërkoi ndihmë nga institucionet e Kosovës, në mënyrë që ne t’u ndihmojmë juve. Janë miratuar ligje në Kosovë, por duhet luftimi i korrupsionit në nivele të larta”, ka thënë Zhbogar. Ai më tej ka shtuar se liberalizimi nuk është mjet përmes të cilit mund të ndalet migrimi ilegal i njerëzve.
I dërguari special i BE-së ka përmendur edhe tri prioritete të tjera, të cilat duhet të jenë në agjendën e institucioneve të Kosovës. Prioriteti i parë, sipas Zhbogarit, duhet të jetë zhvillimi ekonomik, si çelës për zgjidhjen e problemeve që ka Kosova. Ai ka thënë se Kosova duhet të krijojë një ambient për investitorët e huaj, si dhe të vërë në veprim potencialin e saj, sidomos në turizëm.