Vitin e shkuar, vlera e prokurimit publik ishte 445 milion euro

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjatë vitit të kaluar në tërë Kosovën janë nënshkruar 11,362 kontrata publike të bazuara në Ligjin për prokurim publik, të cilat kapin shumën prej 389.7 milionë euro, duke mos llogaritur edhe 55.4 milionë euro për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, kontratë kjo që vlerën e prokurimit publik për vitin e kaluar e ngrit në 445.1 milionë euro.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) i ka bërë të njohura këto të dhëna në raportin e vet për vitin 2014, një kopje të të cilit raport e ka edhe KosovaLive. Sipas raportit, prej 11,362 kontratave të nënshkruara 9,053 janë nga autoritetet kontraktuese qeveritare, ndërsa 2,295 nga kompani publike, si dhe 14 nga OJQ-të e ndryshme.

“Si burim i financimit të kësaj vlere të kontratave të nënshkruara janë 129.8 milionë euro nga të hyrat vetanake, apo (33.31%), nga buxheti i Kosovës 258.8 milionë euro (66.42%) dhe nga donacionet 1 milion e 57 mijë euro (0.27%)”, thuhet në raportin e KRPP-së, i cili do të bëhet publik pasi të diskutohet në Kuvendin e Kosovës.

Sipas raportit, vlera e kontratave të nënshkruara për furnizime gjatë vitit 2014 arrin në 178.1 milionë euro, për shërbime është 52 milionë euro, për konkurs projektimi 234 mijë euro. Ndërsa vlera e  kontratave të nënshkruara për punë arrin në 214.8 milionë euro, por këtu llogaritet edhe vlera e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në shumën e planifikuar për vitin 2014 prej 55,4 milionë euro.

Raporti tregon se janë nënshkruar kontrata të cilat edhe tejkalojnë pragjet e Bashkimit Evropian (BE). Kontratat e nënshkruara sipas numrit dhe vlerës të cilat janë më të mëdha se pragjet e BE-së për vitin 2014, kapin shumën prej 136.9 milionë euro.

Sipas raportit, janë gjithsejtë 131 kontrata të nënshkruara mbi pragjet e BE-së, prej tyre 90 kontrata për furnizim që kapin shumën prej 66.8 milionë euro, 40 kontrata për shërbime prej 14.5 milionë euro dhe 1 kontratë për punë me vlerë prej 55.4 milionë euro (Pjesa e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit).

Mirëpo, një numër i konsiderueshëm rastesh që ndërlidhen me procedura tenderuese gjenden nën hetime nga prokuroritë apo në shqyrtim gjyqësor. Kështu, vetëm në vitin 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës pa pasur në punë 23 raste me 183 persona të përfshirë të cilët janë hetuar për këto dyshime.

Se gjendja në fushën e prokurimit dhe mënyrën e shfrytëzimit të parasë publike ësht për brengosje, e ka pranuar edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili ka theksuar se në 537 raste të raportuara nuk është respektuar Ligji për prokurimin publik, pasi ka pasur parregullsi.

“Në cilësinë e ministrit të Financave, përgjegjës për paranë publike, unë vlerësoj se gjendja është e vështirë dhe brengosëse rreth mënyrës se si është shfrytëzuar paraja publike. Në shumë organizata buxhetore, në 537 raste të raportuara nuk kanë respektuar Ligjin e prokurimit publik.

Pra, ka pasur parregullsi në vlerësimin e ofertave, vendime të gabuara për ofertuesit, trajtim jo të barabartë të ofertuesve, dosje të tenderit, në kritere për dhënie të kontratave dhe shumë probleme tjera”, ka thënë Hoti ditë më parë gjatë mbledhjes së Qeverisë të Kosovës.

Megjithatë, ai u shpreh i vendosur që të vendosin një rend sa i përket kësaj çështje, derisa bëri me dije se për dy ose tre muaj do ta testojnë formën e prokurimit online, ndërsa, në fillim të vitit 2016 do të fillojnë përfundimisht me aplikimin e prokurimit online. Sipas tij kjo gjendje shtron nevojën për intervenim urgjent në dy drejtime: në drejtim të ndryshimit të Ligjit të prokurimit publik dhe në ngritjen e kapaciteteve dhe etikës profesionale të zyrtarëve të prokurimit në të gjitha organizatat buxhetore.

“Unë jam i vendosur që të sigurojë se paraja publike po përdoret sipas ligjit dhe në interesin më të mirë të qytetarëve. Ashtu siç kam deklaruar me rastin e marrjes së detyrës, do të jem plotësisht transparent për shpenzimin e secilit cent të parasë publike dhe do të kërkoj llogari nga cilido zyrtar publik”, thotë ministri Hoti.

Sipas tij, shumë shpejt Ministria e Financave do të dërgojë në qeveri një draft me ndryshime dhe plotësime të Ligjit të prokurimit publik, i cili pastaj do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës. Ligji do të përcaktojë rregullat e reja të prokurimit publik dhe do të forcojë llogaridhënien dhe transparencën.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vitin-e-shkuar-vlera-e-prokurimit-publik-ishte-445-milion-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala