Viti i bordeve të politizuara

Autori:Avdyl Pajaziti

Pothuajse asnjë bord i agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike nuk mbeti pa u ndikuar nga politika.

Dy partitë që janë në pushtet PDK dhe LDK nuk mbajtën premtimin elektoral që me marrjen e pushtetit do ta largojnë politikën nga këto institucione të pavarura.

Të gjitha bordet pa përjashtim u shfrytëzuan nga partnerët e koalicionit për rehatimin e militantëve partiak dhe familjarëve të ngushtë të tyre.

Emërimet partiake dhe familjare fillojnë nga kabineti i kryeministrit Isa Mustafa.

Ishte motra e Vlora Dumoshi, që është shefe e stafit të kryeministrit, Albiona Maloku që u emërua anëtare e bordit të “Ibër Lepencit”.

Kritika më të mëdha LDK mori për propozimin që e bëri në Gjykata Kushtetuese, të Selvete Gërxhaliu – Krasniqit, që ishte kandidate e kësaj partie për deputete. Ajo u votua në Kuvend nga PDK dhe LDK për tu bërë anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Isa Mustafa, nuk harroi edhe ata që aderuan në partinë e tij. Ai shpërbleu edhe Drita Konxhelin, që ishte bërë pjesë e LDK-së më 2014, pak para zgjedhjeve nacionale. Konxheli ishte emëruar anëtare e Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori I Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Anëtarë i bordit në KOSTT është emëruar edhe Musa Misini që ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e fundit nacionale.

Mustafa nuk e kishte harruar as Nebih Zariqin, që është pronar i kompanisë Standard dhe anëtar i degës së katërt të LDK-së në Prishtinë. Zariqi ishte emëruar po ashtu në bordin drejtues të KOSTT-it.

Emërimet e fundit politike LDK i kishte bërë në përmbylljen e seancës parlamentare të Kuvendit për vitin 2015. Në fund të vitit të punës së Kuvendit Qeveria kishte dërguar emra politik në Kuvend për tu votuar që edhe ndodhi.

Petrit Gashi u emërua në bordin e AKP-së që ishte ish-këshilltar i ministrit Lutfi Zharku sa ky i fundit mbante pozitën e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë nga radhët e LDK-së.

Anëtari tjetër që u emërua në AKP nga LDK-ja ishte Hamdi Jaha, që ka qenë drejtor i drejtorisë për inspekcion në Komunën e Podujevës. Podujevën që nga pas lufta e udhëheq LDK-ja.

Dhe emri i fundit politik nga LDK-ja është Ismail Jonuzi. Ai ka qenë kandidat i LDK- së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 ku nuk arriti të marr vota të mjaftueshme për tu bërë deputet. Mirëpo partia nuk e harrojë duke ia bërë një vend në AKP.

Edhe PDK-ja punësoi në borde njerëzit partiak.

I pari që u rehatua ishte Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të Skenderajt nga radhët e PDK-së, Sami Lushtaku, që u emërua anëtar i bordit të “Ibër Lepencit”.

Pas Lushtakut ishte Naser Canolli që u emëruar në bordin e Aeroportit të Gjakovës, që është drejtor i Gazetës Zyrtare pranë zyrës së kryeministrit. Canolli po ashtu është anëtar i PDK-së.

PDK-ja është kujdesur edhe për një anëtarë të saj, Nuri Bahtjari, që ishte kandidat për asambleist në Komunën e Prishtinës, në zgjedhjet e fundit lokale, ku e kishte rehatuar në bordin e Aeroportit të Gjakovës, raporton Indeksonline.

Emërimet familjare nëpër borde nuk i ka bërë vetëm LDK-ja, këtë e ka praktikuar edhe PDK-ja.

Në bordin e Hekurudhave të Kosovës “InfraKos” është emëruar edhe e bija e funksionarit të lartë të PDK-së dhe ish deputetit Fatmir Xhelilit, Fëllënza.

PDK-ja ka vazhduar t’i shpërblen anëtarët e vet nëpër borde. Në bordin e “InfraKos”-it është emëruar dhe Nexhat Dedia që ishte kandidat për asamblenë komunale në Mitrovicë.

Në bordin e Postës së Kosovës, PDK-ja ka rehatuar edhe një ish zyrtarë të saj. Rushan Ceka që tash është emëruar anëtar i në Postën e Kosovës, ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Kaçanikut, ndërsa tash partia nuk e ka harruar duke ia bërë një vend.

PDK-ja emëroi edhe Bajram Zejnullahu anëtar në bordin e AKP-së. Zejnullahu ka qenë kandidat për deputetë nga radhët e PDK-së, ku ka pasur numrin 106 në listën e deputetëve.

Po ashtu edhe Hasime Mazreku Krasniqi që ishte emërua sot bordin e AKP-së, ishte kandidate për deputete nga radhët e PDK-së. Hasime Krasniqi ishte deputete në legjislaturën e katërtë të Kuvendit nga radhët e PDK-së, mirëpo në zgjedhjet e fundit nacionale ajo nuk morri votat e mjaftueshme për tu bërë deputete. /Indeksonline/GazetaFjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/viti-i-bordeve-te-politizuara/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala