Viti ’99: Albin Kurti si zëdhënës i UÇK-së flet për bisedimet në Rambuje

Autori:Avdyl Pajaziti

Çfarë thoshte Albin Kurti si zëdhënës i UÇK-së për bisedimet në Rambuje, në vitin 1999? (Video)

Është shkurti i vitit 1999 kur liderët kosovarë vazhdonin diskutimet për arritjen e paqes në Rambuje të Francës, ndërkohë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës vazhdonte të përballej me forcat serbe që kryenin spastrim etnik në Kosovë.

Nga arkiva e Asocciated Press gjejmë se nga një mbledhje e thirrur në zyrën përfaqësuese të UÇK-së në Prishtinë, zëdhënësi i atëhershëm i UÇK-së, Albin Kurti u thotë gazetarëve se çdo marrëveshje që arrihet duhet të ketë për bazë situatën në terren, dhe se asnjë marrëveshje s’do të ishte e qëndrueshme nëse të dyja palët nuk do të përkushtoheshin në funksionimin e saj, shkruan Indeksonline.

“Kërkesa e palës shqiptare, delegacionit shqiptar në Rambuje, është që së pari të nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi, që do të jetë shenjë e vullnetit të mirë se të dyja palët janë të interesuara për një rezolutë politke për marrëveshje, që më vonë mund të shndërrohet në rezolutë”, kishte thënë Kurti para gazetarëve.

Meqenëse nënshkrimi i marrëveshjes për armëpushim do të thoshte njohje e UÇK-së nga pala serbe, marrëveshja nuk ishte nënshkruar.

Christopher Hill, amerikani që ndërmjetësonte bisedimet në Paris, e kishte pranuar se që të dyja palët, ajo serbe dhe kosovare, po përpiqeshin t’i iknin procedurave me kërkesa të reja, por kishte thënë se “bisedimet po vazhdojnë nëpër një terren jashtëzakonisht të vështirë.”

Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi, gjatë kohës sa mbaheshin bisedimet në Rambuje, ishte shprehur i brengosur me Konferencën e Rambujes, duke thënë se UÇK-ja “nuk mund ta pranojë” propozimin e ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund konfliktit, thuhet në përshkrimin e AP-së në videon e viti 1999.

Ndërkohë, përkundër dimrit të acartë, UÇK-ja vazhdonte patrullimet nëpër Kosovë. /Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/viti-99-albin-kurti-si-zedhenes-i-uck-se-flet-per-bisedimet-ne-rambuje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala