Visar Ymeri fton në debat publik Isa Mustafën

Autori:Gazeta Fjala

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje!, i ka bërë thirrje kryeministrit Isa Mustafa që të ballafaqohen në një debat publik për, siç thotë Ymeri, t’i ballafaqojnë argumentet mbi dëmet dhe të mirat e “Zajednicës”. Ai tutje, ironizon me Mustafën, duke thënë se le ta zgjedhë ai gazetarin dhe mediumin, pasi sipas tij, kështu është mësuar.

Lexojeni të plotë shkrimin e tij në Facebook:

Në emisionin e mbrëmshëm në RTK Isa Mustafa për anjë moment nuk e foli të vërtetën për Marrëveshjen. Herë thoshte se Zajednica nuk ka kompetenca ekzekutive, e pastaj thoshte se edhe ashtu komunat me shumicë serbe kanë pasur më shumë kompetenca se sa komunat tjera. Që i bie se e drejta për t’i përbashkuar këto kompetenca në një instancë më të lartë se niveli lokal, e më të ulët se ai qendror, e bën Zajednicën pushtet të tretë, autonom, në dëm të Kosovës dhe kundër Republikës.Thoshte se marrëveshja është kompromis, dhe pastaj kthehej e thoshte se është në përputhje të plotë me Kushtetutën, që i bie që Marrëveshja na qenka një detajizim juridik i zbatimit të të drejtave të caktuara tashmë të garantuara me të. Pse paska nevojë për një Marrëveshje kompromisi për ta zbatuar Kushtetutën? Nëse është kështu që komunat me shumicë serbe e paskan pranuar zbatimin e Kushtetutës së Republikës!, dhe se Serbia e paska pranuar në mënyrë indirekte Republikën e Kosovës!, atëherë këtu nuk kemi kompromis, por fitore bindëse të Republikës së Kosovës.

Në vend se të kërcënojë me gjuhë ‘burrnie’, Isa Mustafa duhet ballafaquar me argumente. Prandaj e ftojë në një debat publik për të diskutuar për Zajednicën, dëmin që ajo e shkakton, dhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga ajo. Mediumin dhe gazetarin le ta zgjedh ai se kështu është mësuar./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/visar-ymeri-fton-ne-debat-publik-isa-mustafen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala