Vihet në dyshim Thaçi për President

Autori:Avdyl Pajaziti

Një interpretim i ri për kuorumin që kërkohet gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të shtetit ka ngritur dilema të mëdha nëse Hashim Thaçi do të mund të akomodohet në këtë post gjatë pranverës.

Interpretimi ka lënë pa fjalë edhe opozitën, por kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se do të reflektojë.

Në numrin e së premtes të “Kohës Ditore”, Andrea Lorenzo Capussela ka publikuar një vështrim për kuorumin, tek është mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me “rastin Pacolli”.

Capussela është ekspert juridik, ka qenë shef i Njësisë Ekonomike të Zyrës Civile Ndërkombëtare, po kështu edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, e së fundi ka botuar librin “Shtetndërtimi në Kosovë: demokracia, korrupsioni dhe BE-ja në Ballkan”. Për bindjen e tij, aktgjykimi e bën të pamundur zgjedhjen e Thaçit apo të kujtdo tjetër si ai për president, pasi konsideron se verdikti i Kushtetueses përcakton se “në votim duhet të marrin pjesë të gjithë deputetët” e Kuvendit të Kosovës, përveç atyre që janë liruar nga prezenca.

Kryeparlamentari Veseli është pyetur të premten pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se si ai e kupton kuorumin, në seancën që për rend dite ka zgjedhjen e kreut të shtetit. Nuk ka tani një përgjigje. Ka thënë se i duhet konsultë për ta kuptuar përfundimisht.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se do t’i konsultojë shumë Rregulloren dhe juristët përkitazi me këtë çështje, shkruan sot Koha Ditore.

Opozita, ndërkaq, ka refuzuar të deklarohet për këtë interpretim të ri për kuorumin, pavarësisht se kundërshton zgjedhjen e Thaçit në krye të shteti

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/vihet-ne-dyshim-thaci-per-president/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala