Videolojërat mund të nxisin konsumin e duhanit te të rinjtë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kërkuesit analizuan videolojërat dhe vlerësimin e dhënë për to, ndërsa kanë zbuluar se një pjesë e mirë e tyre nuk përmban në etiketim paralajmërimet e duhura kundër pirjes së duhanit.

Duhanpirja është e përhapur dhe disi e lavdëruar në videolojëra, ekspertët paralajmërojnë se 42 për qind e lojërave të luajtura zakonisht nga adoleshentët përmbajnë imazhe të duhanit.

Kjo, sipas ekspertëve, mund të nxisë një rritje të normave të adoleshentëve që konsumojnë duhan. Shumica e lojërave nuk i etiketojnë siç duhet shfaqjen e imazheve me cigare në lojëra, sipas shkencëtarëve nga Universiteti i Kalifornisë.

Për më tepër, një tjetër studim zbuloi se adoleshentët e shihnin përdorimin e duhanit në një videolojë si shtim të forcës së personazhit kryesor.

Ekspozimi i shumtë ndaj përdorimit të duhanit në videolojëra mund t’i frymëzojë adoleshentët të fillojnë duhanin, sipas Iniciativës së të Vërtetës, një organizatë e shëndetit publik.

Robin Koval, president i Iniciativës së të Vërtetës, tha: “lavdërimi i konsumit të duhanit në videolojëra është një shkak serioz për shqetësim, veçanërisht për shkak se të rinjtë luajnë videolojëra më shumë nga sa shkojnë te filmat”.

Produktet e duhanit shpesh përdoren nga personazhet “e forta” dhe “të hatashme”, ku lojtarët portretizojnë personazhet e tyre.

“Ne shpresojmë që ky raport do të sjellë ndërgjegjësim më të lartë për mënyrën se si imazhet me duhanpirje mund të influencojnë fëmijët”. Në raportin e saj Iniciativa kreu video-intervista me 44 adoleshentë dhe të rinj që luanin lojëra.

Të gjithë 44 adoleshentët raportuan të kenë parë duhanpirje në videolojëra në bazë të rregullt.

Megjithatë, sipas raportit, kërkime të mëparshme zbuluan se ekspozimi ndaj duhanpirjes në filma rrit gjasat që një i ri të fillojë duhanin.

Për më tepër, 44 për qind e adoleshentëve që fillojnë duhanin e bëjnë këtë për shkak të imazheve që kanë parë në filma.

Raporti tha: “marrëdhënia mes duhanpirjes në filma dhe të rinjve që pinë duhan shton perspektivën që konsumi i duhanit në videolojëra të ketë një ndikim të ngjashëm”.

Në një studim në Kaliforni, që u publikua në revistën e Kontrollit të Duhanit, kërkuesit përcaktuan se një normë kombëtare e vendosur më shumë se 20 vite më parë nuk është një burim i besueshëm për të mësuar nëse videolojërat përmbajnë imazhe të duhanit.

Autorja e studimit, Susan Forsyth, një kandidate për doktoraturë tha: “prindërit duhet të tregojnë kujdes kur shqyrtojnë videolojërat e lejuara për fëmijët e tyre”.

Rreth 88 për qind e të rinjve në SHBA, nga moshat 8 deri në 18 vjeç, luajnë videolojëra herë pas here.

Kështu, kërkuesit ishin të vendosur të përcaktojnë nëse imazhet me duhan merrnin etiketimin e duhur nga Bordi i Normimit të Argëtimit Softuer, që ndihmon klientët të përcaktojnë moshën e duhur sipas përmbajtjes.

Studimi intervistoi 65 persona të moshës 13 deri në 50 vjeç që luanin lojëra. Ata u pyetën nëse kishin parë lojërat e tyre të preferuara ku edhe pihej duhan.

Kërkuesit zbuluan se normimi i lojërave nuk reflektonte siç duhet përmbajtjet e duhanit në to.

Vetëm tetë për qind e lojërave merrnin paralajmërime për duhanin, ndërsa ku 42 për qind e këtyre paralajmërimeve ishin në pamje vizuale.

Përveç kësaj, mes lojërave të normuara me “M” për të rritur, 75 për qind e tyre kishin përmbajtje të duhanit – por bordi kishte dhënë paralajmërime për vetëm katër për qind të tyre.

Ruth Malone nga studimi tha se bordi i normimit duhet të ndalojnë shitjen se po ofron kategorizime të sakta. “Bordi duhet të shohë më me kujdes dhe vazhdimisht materialin që ai thotë se vlerëson”, tha kërkuesja.

Sipas Iniciativës së të Vërtetës, 3200 të rinj provojnë një cigare për herë të parë çdo ditë. Dhe rreth 2100 të rinj bëhen duhanpirës të rregullt.

Sipas kërkuesve amerikanë, 5.6 milionë të rinj sot do të vdesin para kohe për shkak të përdorimit të duhanit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/videolojerat-mund-te-nxisin-konsumin-e-duhanit-te-te-rinjte-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala