Veturat zyrtare harxhojnë milionat e buxhetit

Autori:Avdyl Pajaziti

Shpenzimet e mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve nëpër organizata buxhetore në sektorin publik janë në rritje për çdo vit. Madje këto shifra kanë shkuar në miliona euro që paguhen nga taksapaguesit.

Sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), organizatat buxhetore gjatë tri viteve 2011-2013 për këtë kategori kanë shpenzuar hiq më pak se 15,664,172 euro, ose 3% e shpenzimeve për mallra dhe shërbime. ZAP-i ka bërë një studim ku ka analizuar pesë organizata buxhetore të cilat kishin shpenzuar 4,384.155 euro.

Mirëpo, ZAP-i ka evidentuar shumë parregullsi tek organizatat buxhetore sa i përket mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve.

Tek organizatat buxhetore të audituara nga ZAPI si, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Dogana, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe Policia e Kosovës, përveç kësaj të fundit fituesi i kontratës ka rezultuar të jetë më i shtrenjtë se operatori ekonomik i pasuksesshëm edhe pse procesi i vlerësimit të tenderëve e ka radhitur fituesin si më të mirin në momentin e vlerësimit sipas parametrave të përcaktuar në dosjen e tenderit.

“Prej numrit total të artikujve të listuar në dosje të tenderit, gjatë tërë kohës së implementimit të kontratës organizatat buxhetore kanë blerë afërsisht 50% të tyre. Pjesa tjetër e artikujve nuk janë blerë asnjëherë duke treguar se mënyra e vlerësimit të kontratës kishte mangësi të rënda. Ky është edhe shkaku pse tenderuesi fitues rezulton të jetë më i shtrenjtë se tenderuesit e pasuksesshëm. Kjo nuk ishte e dukshme gjatë procesit të tenderimit që përfshinte vlerat e përllogaritura për artikujt që më pas nuk janë blerë”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Sipas të gjeturave në pesë organizatat buxhetore të audituara, për një periudhë tetë mujore të vitit 2013 Dogana ka bërë shpenzime në vlerë 104,536.53 euro me operatorin fitues, por i cili në fakt ka rezultuar të jetë për 8,063 euro ose 7.7% më i shtrenjtë se çmimi i operatorit ekonomik të pasuksesshëm.

mirembajtja e veturave1

ATK-ja ka mundur të kursej 2,124 euro për periudhë 2 vjeçare ose mesatarisht 1,062 euro në vit sikur të kishte bërë vlerësimin e nevojave duke analizuar të dhënat e shpenzimeve.

Ndërsa, MAP në njërën nga kontratat për një periudhë 10 mujore të vitit 2013 ka bërë shpenzime në vlerë 13,441 euro, i cili ka rezultuar të jetë për 2,763€ ose 20.55% më i shtrenjtë se çmimet e ofruara nga operatori ekonomik i pasuksesshëm.

“Vetëm në dhjetë mujorin e parë të implementimit të kontratës kornizë, MAP ka mundur të kursejë gjithsej 2,763 euro. Kjo do të thotë se MAP ka paguar rreth 20.55% më shumë se që është dashur. Nëse kjo diferencë vazhdon të paraqitet edhe në 26 muajt e mbetura të implementimit të kontratës, niveli i shpenzimeve të panevojshme do të mund të arrijë vlerën prej 7,184 euro”, konstaton raporti i ZAP-it.

Ndërsa kontrata kornizë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) prej 24 muaj që fillon prej 01.08.2011 ishte ndarë në tri pjesë (llote), një llot për regjion, dhe nuk ka rezultuar të jetë ekonomike.

shpenzimet per automjete

Sipas ofertës, operatori ekonomik fitues në regjionin e Pejës ka qenë më i lirë se operatori ekonomik tjetër konkurrent. Pas implementimit të kontratës ka rezultuar të jetë më i shtrenjtë se operatori ekonomik i pasuksesshëm për 7,249 euro ose 23.5%. ndërsa operatori ekonomik fitues në regjionin e Gjilanit gjatë implementimit të kontratës ka dalë më i shtrenjtë se çmimi i i operatorit ekonomik të pasuksesshëm për 7,533 euro ose për 16%.

 

Dallime enorme në çmime për artikuj të njëjtë

Artikujt e njëjtë të blerë nga organizata buxhetore të ndryshme në periudhën e njëjtë duhet të kenë çmime përafërsisht të njëjta. Edhe këtu ZAP konstaton se ka dallimet enorme në çmime për artikuj të njëjtë të blerë nga organizata buxhetore të ndryshme. Këto dallime paraqiten në të gjithë artikujt që janë marrë si mostër për të 5 llojet e automjeteve. Dallimi minimal është 3% derisa ai maksimal është 628%.

“Sikur ATK-ja të ishte furnizuar me çmimet më të ulëta, kursimi i mundshëm nga artikujt e zgjedhur si mostër (vaj motori, filtër i naftës, filtër i ajrit, i klimës, i vajit…) do të ishte 5,527 euro apo 10% të shpenzimeve të bëra. Dogana do të mund të kursente 19,289 euro apo 44% të shpenzimeve të bëra për blerjen e artikujve…Kursimi i mundshëm i KGJK-së do të arrinte vlerën prej 15,618 euro që përbën 54% të shpenzimeve të bëra. Në ndërkohë, MAP do të kursente 250 euro ose 22% të shpenzimeve të bëra”, konstaton ZAP-i.

Përveç dallimeve në çmimet e artikujve mes organizatave buxhetore të ndryshme janë vërejtur variacione ekstreme në çmime mes kontratave të nënshkruara për artikuj të njëjtë nga organizata buxhetore e njëjtë. KGJK-ja kishte kontraktuar çmimin prej 88 euro për semeringat e vegjël me operatorin ekonomik për regjionin e Prizrenit, ndërsa shpenzimet në regjionin e Pejës dhe Gjilanit për artikujt e njëjtë ishin 10 euro dhe 20 euro, respektivisht semeringat e vegjël kanë kushtuar 8.8 herë më shtrenjtë në Prizren se sa në Pejë dhe 4.4 herë më shtrenjtë se në Gjilan.

shpenzime per vetura2 shpenzime per vetura3

Gjatë viteve 2011-2013 KGJK i kishte blerë 65 njësi semeringa të vegjël të cilat kanë kushtuar 5,720 euro. Asnjë njësi e këtij artikulli nuk ishte blerë në regjionin e Pejës, ndërsa ishin blerë dy njësi në regjionin e Gjilanit. Kursimi i mundshëm i KGJK-së, sikur artikulli të ishte blerë përmes kontratës në regjionin e Pejës, do të kishte qenë 5,070 euro ose 89% të buxhetit të shpenzuar. Nëse KGJK do t’i kishte blerë ato përmes kontratës në regjionin e Gjilanit, kursimi i mundshëm do të ishte 4,420 euro apo 77% të buxhetit të shpenzuar për këtë artikull.

 

Nuk janë të përafërta çmimet për pjesët e furnizuara me ato të tregut

ZAP-i ka bërë hulumtime të tregut dhe ka siguruar çmimet e tregut. Sipas raportit, ATK-ja do të kishte kursyer 3,649 euro sikur artikujt e servisit të rregullt siç janë: filtër nafte, vaji, ajri dhe klime si dhe gurtnet e frenimit, t’i kishte blerë duke marrë parasysh çmimet e tregut.

Shumica e artikujve të listuar janë blerë nga ATK-ja me çmime të ngjashme me çmimet e tregut. Dogana do të kishte kursyer shumën prej 13,305.00 euro sikur artikujt e cekur më lartë të ishin blerë duke marrë parasysh çmimet e tregut, pa përfshirë këtu vajin e motorit të cilin Dogana e blen me kontratë ndaras prej mirëmbajtjes dhe riparimeve të automjeteve.

Shpenzimet për vaj motori për periudhën 2011-2013 kanë qenë gjithsej 60,000 euro (6,000 litra x 10€) ndërsa sikur të ishte blerë duke marrë parasysh çmimet e tregut, këto shpenzime do të zvogëloheshin me 12,000 euro ose mesatarisht 4,000 euro për vit.

KGJK-ja për llojin e automjeteve Toyota 4 Runner dhe Nissan Terrano do të mund të kursente 7,530 euro ose 32% të shpenzimeve totale për këto pjesë sikur në të tre regjionet të furnizohej me çmime të tregut.

Ndërsa, sikur MAP-i të ishte furnizuar me çmime të tregut, vetëm për llojin e automjetit Nissan Terrano, do të mund të kursente 445 euro apo 39% të shpenzimeve totale për këta artikuj.

Edhe në tabelën për shpenzimet aktuale dhe kursimet e mundshme për mirëmbajtje të rregullt në katër nga pesë organizatat buxhetore të audituara po që se ato kishin blerë artikujt e servisit të rregullt me çmimet e tregut, vetëm për katër llojet e automjeteve, kursimet e mundshme do të arrinin në 37,402 euro apo 24% të totalit të shpenzimeve për tri vite. Policia e Kosovës nuk ishte e krahasueshme për shkak të faktit se ka pasur shumë kontrata të shërbimeve dhe të dhënat që na kanë ofruar nuk ishin të plota.

Të gjeturat kryesore të auditimit janë se, asnjëra nga organizata buxhetore të audituara nuk e kishte bërë identifikimin dhe vlerësimin e nevojave bazuar në të dhënat e shpenzimeve aktuale nga vitet e mëparshme. Procedurat e ndryshme janë përdorur për të blerë artikuj të njëjtë, konkurrencë e ulët dhe nganjëherë janë aplikuar kritere të panevojshme.

Shumica e kontratave nuk ishin ekonomike, çmime të ndryshme të furnizimit janë gjetur në organizata buxhetore të ndryshme për të njëjtin artikull dhe çmime më të larta në krahasim me çmimet e tregut. Mungesa e regjistrave, madje edhe në rastet kur ishin mbajtur, nuk ishin përdorur për ndonjë qëllim.

Vlera më e lartë e riparimit në krahasim me vlerën e mbetur në Policinë e Kosovës; dhe jo të gjitha pajisjet e flotës policore të Kosovës ishin funksionale, prandaj janë shkaktuar shpenzime shtesë të panevojshme për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve.

Ka edhe raste kur vlera e riparimeve ka tejkaluar vlerën e blerjes së automjeteve. Te procesi i tenderimit, kombinimi i nevojave për mirëmbajtje dhe i atyre për riparim në një tender të vetëm i kontribuon më së shpeshti ngritjes së çmimit të kontratave; dhe indikacionet për manipulime në specifika teknike dhe çmime duke ofruar çmime të ulëta për pjesët që ndërrohen rrallë dhe çmime të larta për pjesët që ndërrohen më shpesh (si rezultat, gjatë implementimit të kontratës del që fituesi ka qenë më i shtrenjtë).

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/veturat-zyrtare-harxhojne-milionat-e-buxhetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala