Veturat e përdorura: Të mira për buxhet, të dëmshme për qytetarët

Për katër vite në Kosovë kanë hyrë mbi 71 mijë vetura të vjetra nga e gjitha vendet e Evropës. Ato më shumë kanë rrezikuar jetën e qytetarëve se sa që u është parë hajri.
Kështu u vlerësua në konferencën e së premtes të organizuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, për ndikimin dhe efektet e vendimit të Qeverisë së Kosovës të vitit 2011 që të lejohet importimi i veturave të cilat janë të përdorura deri në 13 vite, nga 8 sa ishte gjatë viteve të kaluara.
Rritja e numrit të aksidenteve si dhe ndotja e ambientit janë disa nga efektet negative të këtij vendimi.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se 60 për qind e sëmundjeve në Kosovë janë sëmundje nga ajri, dhe se vendimi i Qeverisë është marrë për të mirën e ekonomisë. Ndërkaq, udhëzuesit për përdorimin e veturave të përdorura, nuk janë zbatuar nga ana e qytetarëve.
“Tani është duke u punuar në përpunimin e këtij udhëzuesi, dhe jemi në draftin e fundit para se të dorëzohet në Qeveri për impelentim. Ky udhëzues së pari do të diskutohet me shoqërinë civile pastaj do të implementohet”, u shpreh Agani.
Ndërkaq, Drejtori Gjeneral i Institutit GAP, Agron Demi, tha se ky vendim i qeverisë është i gabuar, pasi që pasojat e saj janë në efekte afatgjate.
“Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për mbushjen e buxhetit të Kosovës me uljen e vitit të veturave të përdorura është politikë e gabuar, sepse efektet negative të saj po shihen në nivel afatgjatë, ndërsa qeveria po shikon në atë afatshkurtër”, tha Demi.
Edhe Sheremet Ahmeti, nga Policia e Kosovës, u shpreh i shqetësuar rreth aksidenteve që po ndodhin muajt e fundit në Kosovë, dhe tha se është krijuar gjendje alarmante. Ahmeti tregoi se në muajin tetor të vitit të kaluar janë shkaktuar 4 aksidente gjithsej, ndërsa në tetor të këtij viti deri tani janë shkaktuar 8 sosh.
“Është krijuar gjendje alarmante. Krahasuar shifrat e vitit të kaluar me të këtij viti ato janë rritur në mënyrë drastike”,u shpreh Ahmeti.
Ardian Gojani, profesor në Universitetin “UBT”, tha se ky vendim i Qeverisë është i pamatur, dhe se këtij vendimi po i vërehen efektet negative.
“Vendimi i Qeverisë për uljen e viteve të veturave të përdorura mund të themi se është i pamatur, dhe se kjo po prodhon 2 efekte negative. Efekti i parë negativ është se me vjetërsinë e veturave rritet ndotja e ambientit dhe zhurma e tyre, dhe gjithashtu rritet intensiteti i trafikut”, tha ai./Gazeta Fjala/